Një javë më parë emisioni “Stop” transmetoi rastin e grabitjes së një pacienti të intubuar në spitalin infektiv “Covid 1”, të cilit iu vodhën para nga portofoli dhe karta e bankës.

Ditën e sotme u bë i ditur lajmi se forcat e komisariatit numër 4 në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e infermieres që ka kryer këtë akt të rëndë. Ajo është 30-vjeçarja Ronida Hysa.

Emisioni “Stop” ka siguruar pamjet e momentit të 30-vjeçares teksa shoqërohet në polici e lidhur në pranga.  Nga ana tjetër, Urdhri i Infermierit vendosi bllokimin e lejes së ushtrimit të profesionit deri në vendimin përfundimtar të gjykatës për infermieren Hysa.

Në përfundim të procesit gjyqësor, do të merret vendimi përfundimtar për heqjen me ose pa afat të licencës së zonjës Ronida Hysa. Infermierja ka qenë përfaqësuese në grupin e dytë ku Shqipëria ka çuar një ndihmë me infermierë dhe doktorë drejt Italisë.

Djali i pacientit të ndjerë, që gjeti kurajon të denonconte në “Stop”, shprehet mirënjohës për ndjekjen dhe zgjidhjen e problemit të tij.

“Jam falënderues ndaj emisionit “Stop” për punën e bërë që është gjetur personi që ka marrë portofolin e babait tim se pa emisionin “Stop” nuk do kishte dalë personi. S’kam fjalë. U jam mirënjohës edhe për ju kam fjalët më të mira”, tha ai. /tvklan.al