Policia ka publikuar pamjet kur këngëtarit Arkimed Lushaj, i njohur ndryshe si Stresi, i janë vënë prangat gjysmë lakuriq në shtratin e një dhome hoteli në zonën e Linzës në kryeqytet.

Mësohet se ai është i pari nga anëtarët e një grupi kriminal që operonte në fushën e narkotikëve dhe atë të gjobvënies që përfundon në prangat e policisë.

31-vjeçari i arrestuar pasditen e së mërkurës, mbahej prej më shumë se 7 muajsh nën vezhgim nga policia. Në momentin e arrestimit, iu gjet një pistoletë tip “Pjetro Beretta”, 12 fishekë dhe një sasi e vogël kokainë. Bashkë me këngëtarin ndodhej edhe një vajzë 20-vjeçare që po hetohet në gjendje të lirë për moskallëzim krimi.

Lushaj po qëndron në drejtorinë e Policisë së Tiranës ndërsa akuzohet se është anëtar i një grupi kriminal me mbi 25 persona, që trafikonin lëndë narkotike kryesisht në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet.

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën arrest me burg për reperin e njohur i cili është përballur edhe herë të tjera me policinë. Më 13 Prill të këtij viti, 31-vjeçari është ndaluar nga policia, pasi është kapur duke konsumuar kokainë në ambientet e një lokali. Lushaj është arrestuar disa herë për armëmbajtje pa leje, ndërsa në Janar të 2015 është arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe më pas u arratis nga ambientet e komisariatit.

Tv Klan