Ky është momenti i shpërthimit në kishën e Shën Antonit në Kolombo, ku ndodhi i pari ndër 8 sulmet terroriste që tronditën Sri Lankën të dielën e Pashkëve katolike.

Bilanci i masakrave ka arritur në 290 të vrarë e mbi 500 të plagosur. Mes viktimave 35 janë shtetas të huaj. Këtë të hënë, policia zbuloi dhe bëri shpërthimin e kontrolluar të një furgoni që përmbante lëndë eksplozive.

Sulmet kishin në shënjestër kishat dhe hotelet ku akomodohen turistët perëndimorë. Dyshimet si organizatorë të sulmeve bien mbi një grup ekstremist islamik me qendër në jug të ishullit. Organizata është e lidhur me Shtetin Islamik dhe këto sulme mund të jenë të parat përplasje fetare në këtë ishull, ku konfliktet e të kaluarës janë karakterizuar nga motive etnike.

Autoritetet janë vënë në qendër të kritikave pas zbulimit të këtij dokumenti ku faktohet se shërbimet sekrete kishin paralajmëruar 10 ditë më parë qeverinë për rrezikun e sulmeve terroriste.

Tv Klan