Në mediat iraniane është publikuar një video e re, e kapur nga kamerat e sigurisë që tregon momentin kur avioni ukrainas me pasagjerë rrëzohet në tokë dhe shpërthen në flakë pranë Teheranit.

Videoja u kap nga kamera e një shtëpie që ndodhej fare pranë vendit të përplasjes, si pasojë e së cilës humbën jetën 176 personat që ndodheshin në bord.

Pamjet tregojnë shpërthimin e fuqishëm, ndërsa pjesët e avionit të përfshira nga flakët fluturojnë nëpër zonë.

Ukraina vijon hetimet për të zbardhur shkaqet e rënies së avionit, i cili u rrëzua të mërkurën, pak minuta pasi ishte ngritur në fluturim nga aeroporti i Teheranit.

4 janë skenarët e mundshëm që mund të shpjegojnë përplasjen. Goditje me raketë, terrorizëm, përplasja me një dron, apo një shpërthim i motorit.

Më herët gjatë kësaj të enjteje, mediat amerikane duke cituar zyrtarë të inteligjencës thanë se avioni mund të jetë goditur me raketë gabimisht nga Irani.

Rrëzimi i tij erdhi vetëm pak orë pasi Irani ndërmori sulme me raketa ndaj dy bazave ajrore të forcave amerikane në Irak.

Ndërkohë, hetuesit iranianë, të cilët kanë refuzuar që të dorëzojnë regjistruesit e kutisë së zezë, thanë se avioni ka pësuar një defekt teknik, të pa specifikuar dhe se kishte shpërthyer në flakë përpara se të përplasej në tokë./tvklan.al