Ky është momenti kur U.Agushi, një 19-vjeçar nga Kosova, ndiqet nga një efektiv i policisë së Tiranës. Efektivi i kërkon të ndalojë dhe pas pak çastesh i riu bindet. Arrestimi i tij u njoftua paraditen e kësaj të shtune, megjithatë në një njoftim të dytë gjatë mbrëmjes, autoritetet dhanë detaje të tjera për të.

Fillimisht Agushi u ndalua nga Policia Rrugore për kontroll dokumentacioni. Duke qenë se nuk kishte patentë dhe me vete mbante armë zjarri pa leje, 19-vjeçari braktisi makinën dhe tentoi të largohej me vrap. Në videon më lart tregohet pikërisht momenti kur tentativa e tij dështoi.

Por pas arrestimit, Interpol Tirana bëri verifikime të mëtejshme në bashkëpunim me ILECU Kosovë, nga ku rezultoi se Agushi ishte person në kërkim për llogari të Kosovës, ku akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë.

Kjo pasi në muajin Shtator 2020, ai tentoi të vriste me thikë një mjek në një spital në Prishtinë, duke e plagosur rëndë. Pas arrestimit nga autoritetet shqiptare, 19-vjeçari pritet të ekstradohet drejt Kosovës./tvklan.al