Bledar Okshtuni është personi i cili mbeti i plagosur këtë të hënë pas të shtënave me armë në zyrën elektorale të PD-së në Kavajë. Këto janë momentet kur Okshtuni, i cili është sekretar i PD-së për Kavajën, shoqërohet jashtë zyrës për t’u dërguar më pas në spital pasi u qëllua me armë. Ai dallohet teksa mbahet nga dy persona dhe ecën duke çaluar për shkak të plagës në këmbë.

Po ashtu brenda zyrës elektorale janë ende të dallueshme shenjat e gjakut.  Ishte ora 19:00 kur Ndriçim Jonuzi, alias Ndriçim Tahiri hyri në ambientet e zyrës elektorale të Partisë Demokratike në Kavajë dhe hapi zjarr në drejtim të 27-vjeçarit.

Ngjarja sipas policisë, erdhi si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, megjithatë këto motive momentalisht mbeten të panjohura. 27-vjeçari Okshtuni u dërgua në spitalin e Durrësit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.Ndërkohë me të mbërritur në vendin e ngjarjes, Policia bëri të mundur identifikimin e autorit të dyshuar dhe e shpalli atë në kërkim. Aktualisht efektivët e policisë janë vënë në ndjekje të tij.

Për ngjarjen kanë reaguar Basha, Meta dhe Rama. Basha e konsideroi këtë ngjarje një atentat ndaj PD-së dhe opozitës së bashkuar, ndërkohë që përgjegjës konsideroi kryeministrin Edi Rama. Por ky i fundit i bëri thirrje Bashës që të mos politizojë ngjarjen dhe të mos nxisë tensione. Ndërkohë plagosjen e konsideroi një ngjarje të patolerueshme ku autori duhet vënë në pranga sa më shpejt. Nga ana tjetër, Ilir Meta u ka bërë thirrje qytetarëve të Kavajës që të mos provokohen dhe të ruajnë qetësinë deri për zgjedhje./tvklan.al