Nga zjarret e tmerrshme në Australi është goditur rëndë edhe bota e egër. Shumë kafshë janë djegur për së gjalli nga flakët e zjarrit që kanë mbërthyer mbarë vendin.

Nëpër rrjetet sociale kanë qarkulluar shumë foto e video kur disa kafshë janë shpëtuar mrekullisht. I tillë është edhe ky rast i një kanguri të sapolindur, që është shpëtuar nga një zjarrfikës vullnetar.

24-vjeçari Sam McGlone ishte pikërisht ai që nxorri nga flakët këtë kangur të vogël. Ai ka publikuar video nga momenti i shpëtimit, teksa apelon gjithashtu që të mblidhen fonde për këtë situatë të rëndë me të cilën po përballet Australia.

24-vjeçari është model dhe ka 100 mijë ndjekës në Instagram, ku dhe ka nisur online fushatën për mbledhjen e fondeve. Ai është angazhuar se bashku me vëllezërit e tij si zjarrfikës vullnetar për të luftuar me flakët e zjarrit.

Sipas mediave botërore, rreth 500 milionë kafshë kanë ngordhur nga zjarret shkatërruese, ndërsa disa specie rrezikojnë zhdukjen. /tvklan.al