“Historia ime” në Tv Klan, ditën e sotme solli historinë e dhimbshme dhe tepër të trishtë të një gruaje 52-vjeçare nga një fshat i Elbasanit.

Ajo është nënë e 4 fëmijëve, 2 prej të cilëve kanë lindur me probleme shëndetësore. Për shkak të mentalitetit, ajo nuk ka dashur të zbulojë identitetin e saj dhe prandaj në studio ajo preferon ta quajnë Leta.

52-vjeçarja ka rrëfyer problemet me skamjen, sëmundjet dhe vështirësitë e shumta. Është martuar kur ka qenë pa mbushur 18 vjeç me mblesëri, me një djalë që nuk e njihte dhe këtu filluan edhe sfidat për të.

Familja e bashkëshortit të saj ishte shumë e varfër dhe vështirësitë ekonomike e detyruan që pas ardhjes në jetë të dy fëmijëve, ajo me burrin të vendoseshin në një shtëpi më vete.

Leta: Vjen daja i babit më kërkon për një mikun e vet, siç ishte ajo kohë që vendosnin prindërit për fatin e vajzave dhe kështu u bë. Mamaja nuk deshi, por babi kishte dhënë llafin dhe ashtu u bë. Nuk e njihja, ishte një vend që edhe u urreja gjatë fëmijërisë sime, kur flisnim me gocat thoshim vetëm andej jo, se ishte një vend mes dy lumenjve. Në një fshat më i varfër se fshati ku jetoja unë dhe familja ishte e madhe, prej 13 vetash dhe ishim me opinga llastiku me tela. Unë tek babai nuk e njihja atë pikë. Fillimisht për 3 vjet, unë ngaqë isha e vogël s’kisha mbushur akoma 18 vjeç, të më mbante babai. Ra dakord edhe vjehrri. Mirëpo me kalimin e ditëve, ai na ngeli aty dhe nga 3 vjet u bënë 3 muaj, edhe nga fejesa unë 3 muaj u martova.

Mirela Milori: Shkove hyre në këtë familje?

Leta: Nuk njihja askënd, as tim shoq.

Mirela Milori: Të varfër?

Leta: Shumë të varfër.

Mirela Milori: Po njerëz të mirë apo si?

Leta: Fillimisht nuk më hynte asgjë në sy, por gradualisht fillova t’i njoh dhe ishin shumë të dashur, shumë të respekuar dhe s’po më hynte më në sy varfëria e tyre. Kam ndenjur me ta derisa u bëra me dy fëmijë. Ishin familje e madhe dhe prandaj ne vendosëm të ndaheshim.

Mirela Milori: Të ndaheshit nga prindërit?

Leta: Po nga trungu familjar!

Mirela Milori: Si ishte momenti kur u bëre nënë për herë të parë?

Leta: Ka qenë, më mirë mos ta them, shumë e trishtueshme. Kur ka ardhur gëzimi i parë mua më është dashur të prish pajën time, për të bërë çarçafë për të. Ata nuk kishin t’i blinin sikur një palë çorape. Edhe aty fillova, që pavarësisht fukarallëkut kaq mundësi e kishin. Pasi linda dhe vajzën e dytë i thashë burrit: O do ndahemi, o unë do largohem, edhe pse isha me fëmijën e dytë.

Mirela Milori: Si jetonit? Burri punonte?

Leta: Po punonte, por ishte tradita që vjehrri mbante qesen e gjithë familjes./tvklan.al