Lihet në arrest shtëpie, ezauroi afatet e paraburgimit

Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako ka lënë pas gati 9 muajsh qelinë e burgut.

Siç duket edhe në këto pamje ai është larguar nga paraburgimi i Durrësit i shoqëruar për në banesë nga një furgon policie.

Vendimi për lirimin e tij u mor këtë të martë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e cila ndryshoi masën e sigurisë nga ‘arrest në burg’ në ‘arrest shtëpie’.

Shkak për ndryshimin e masës është bërë tejkalimi i afateve të paraburgimit.

Ish-kryebashkiaku akuzohet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste, së pari në lidhje me projektin e vijës bregdetare dhe së dyti me lejimin e ndërtimit të një pallati në Durrës pa dokumentacionin e nevojshëm.

Pak javë më parë GJKKO kërkoi nga SPAK që deri në datën 27 Shkurt të plotësojë dosjen edhe me një akt ekspertimi në lidhje me projektin e vijës bregdetare, për të cilën Dako dhe disa ish-zyrtarë dyshohet të kenë shpërdoruar detyrën.

Afati i përcaktuar nuk u zbatua për shkak të mungesës së  akt-ekspertimit topografik. Në këto kushte seanca u shty për më 18 Mars. Vangjush Dako u arrestua në Qershor të vitit 2023 me urdhër të SPAK.

Tv Klan