Ky është momenti kur 27-vjeçari Mehmet Qema dhe autori kanë qenë së bashku në tavolinën e një lokali në lagjen “5 Maj” në Tiranë përpara se të ndodhte vrasja.

Ata kanë qenë miq me njëri-tjetrin dhe ishin në shoqërinë edhe të disa personave të tjera.

Sikurse duket në këtë foto, personi që qëndron në këmbë në anë të majtë të fotos është Marjus Dema 28 vjeç, autori i dyshuar i vrasjes. Ndërsa pranë tij qëndron viktima Mehmet Qema.

Dinamika e ngjarjes u zbardh nga Policia e Tiranës falë kamerave të sigurisë së lokalit, nga prej është shkëputur edhe kjo foto sekuencë.

Sikurse duket në pamje, autori i dyshuar mban në dorë një pistoletë, me të cilën mendohet se është kryer krimi. Deri tani vrasja e 27-vjeçarit dyshohet të ketë ndodhur aksidentalisht, por nuk përjashtohet as ndonjë konflikt i çastit.

Autori, i cili është arratisur dhe është shpallur në kërkim, akuzohet për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje.

Në kërkim janë shpallur edhe 5 persona të tjerë, të cilët kanë qenë pjesë e së njëjtës tavolinë. Ata janë E.P. 27 vjeç, B.H. 28 vjeç, B. A. 23 vjeç, F. M. 29 vjeç dhe Xh. K. 19 vjeç, të cilët akuzohen për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. /tvklan.al