Ende mister kush e ka vendosur objektin

Një monolit misterioz në Utah të Shteteve të Bashkuara ka ngjallur debate mbi origjinën e tij. Objekti me ngjyrë argjendi mund të jetë një vepër arti e vendosur nga artistë të panjohur, por dyshimet shkojnë edhe më tej.

Ky monolit misterioz i zbuluar në mesin e shkretëtirës së Utah-ut në Shtetet e Bashkuara ka ngjallur kureshtje mbi prejardhjen, teksa pamjet e tij po bëjnë xhiron e botës përmes mediave dhe rrjeteve sociale.

Objekti në ngjyrë argjendi u zbulua nga një grup ekspertësh që fluturonin me helikopter në misionin e mbikëqyrjes së kopeve të deleve brirë mëdha, tipike për shkretëtirën e “gurit të kuq” siç njihet ndryshe zona ku u bë zbulimi.

Objekti është i lartë 3 metra dhe është krejt i pazakontë për një zonë të shkretë. Ndaj hipotezat janë nga më të shumtat. Më së shumti flitet për një vepër arti. Monoliti është në stilin e skulptorit John Mccracken, i cili ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare në vitin 2011. Ai ka qenë kultivues i stilit minimalist radikal me figurat gjeometrike në skulpturë dhe ndoshta vepra mund të jetë e ndjekësve të tij në këtë rrymë të artit.

Dyshimet shkojnë deri atje sa objekti mund të jetë sjellë nga jashtëtokësorët.

Tv Klan