Veliaj: Krenar për shqiptarët e suksesshëm në Europë

Gjatë ceremonisë së inaugurimit të monumentit për 2 Korrikun, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, citoi Dostojevskin për të përshkruar momentet e vështira të atyre që mposhtën frikën dhe hynë në ambasada.

“Me këtë monument përkujtojmë shprehjen për liri, por edhe vuajtjet e përjetuara në komunizëm. Më kujtohet shprehja e Dostojevskit, një shprehje ironike: “A jam unë i denjë për gjithë këto vuajtje që po kaloj?” Shumë prej nesh, sidomos gjenerata e prindërve tanë dhe ata që kanë bërë burg politik, me gjasë kanë pyetur veten si Dostojevksi: A i meritojmë t’i heqim mbi kurriz të gjitha këto”, tha Veliaj.

Sipas Veliajt, vetëm duke përkujtuar të shkuarën, shoqëria jonë mund të ndërtojë një të ardhme më të mirë.

“Kjo vepër e Agim Radës dhe bashkëpunimi mes ministrit të Diasporës dhe Ambasadorit gjerman do të jetë një kujtesë e përditshme e atyre kujtimeve, e episodeve, rrëfimeve dhe unë besoj se nëse do kemi një të ardhme si komb, do jetë duke kujtuar ato gjëra që kanë ndodhur për të ndërtuar një histori shumë herë më të mirë se ajo që kaloi”.

Vetë skulptori Agim Rada risolli edhe përjetimet personale të ngjarjeve të atyre ditëve ku ai ishte dëshmitar, ndërsa ambasadori gjerman në Shqipëri, Peter Zingraf u shpreh se ata që guxuan më 2 Korrik u kthyen në një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.

Tv Klan