“I qëndrueshëm edhe pse është rritur nga pandemia”

Pavarësisht rritjes së menjëhershme të borxhit publik në 80% të prodhimit kombëtar gjatë këtij viti për shkak të pandemisë së Covid-19 dhe nevojave të rindërtimit pas tërmetit, agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Moody’s ka konfirmuar të njëjtin pozicion për nivelin e borxhit të Shqipërisë në B1.

Ky nivel rankimi tregon se borxhi i vendit tonë është i qëndrueshëm, edhe pse Moody’s sheh sfida strukturore në fushën konsolidimit fiskal.

“Profili i kredisë së Shqipërisë B1- i qëndrueshëm, është i kufizuar nga sfida të vazhdueshme strukturore, profil i dobët fiskal dhe prekshmëri ndaj goditjeve të jashtme.”

Agjencia prestigjioze e rankimeve thotë se financat publike të Shqipërisë do të ndikohen nga pandemia duke shtuar rreziqet fiskale.

“Kërkesat e Shqipërisë për huamarrje janë shumë më të larta edhe se mesatarja e vendeve me vlerësimin B, që është vlerësim më i ulët se B1.”

Për vitin 2020 Moody;s projekton se recesioni do të jetë në nivelin -7.1%, në një projeksion të ngjashëm me atë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe më optimist se rënia që vlerësoi Banka Botërore.

Agjencia rekomandon reforma në fushën e ekonomisë që nxitin konkurrencën, zgjidhjen e çështjes së pronave dhe kujdes në shpenzimet elektorale në të ardhmen. Agjencia përshëndet angazhimin e qeverisë për të nisur uljen e borxhit që prej vitit të ardhshëm.

Tv Klan