Shoqatat: Nuk ka pasur asnjë ndikim për shtimin e kafshëve të rrezikuara

Moratoriumi i gjuetisë, i cili prej gati 7 vitesh është miratuar në vendin tonë, sipas Federatës Kombëtare për Gjueti dhe Konservim jo vetëm që nuk ka sjellë përmirësim të faunës së egër, por e ka dëmtuar edhe më shumë. 

Presidentit i kësaj federate, Themi Perri, ka deklaruar se nga Ministria e Mjedisit, edhe pse ata i kanë nisur një kërkesë për informacion që në muajin Gusht, ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje për pyetjet që ata kanë ngritur, të cilat kanë të bëjnë me gjendjen e faunës së egër në vendin tonë dhe çfarë është bërë në këto 7 vite të moratoriumit?

A është bërë censusi i kafshëve dhe shpendëve të egra? Sa është investuar për rikthimin e specieve që mungojnë totalisht apo që janë të rrezikuara si fazani dhe thëllëza e fushës? Dhe sa është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, por edhe në grupet e interesit nga moratorium i gjuetisë? Dëm ky që sipas ekspertëve arrin në miliona euro.

Sipas kryetarit të Këshillit Kombëtar të Gjuetisë, Enton Mele, këto para të munguara në buxhetin e shtetit, po shkojnë në vendet e rajonit. Sipas Federatës së Gjuetarëve, vetëm në Shqipëri gjuetarët janë shpallur të paligjshëm dhe fauna e egër është lënë si mall pa zot pa asnjë lloj investimi. Ndërkohë që askush nuk monitoron situatën dhe gjendjen e faunës së egër, e cila është degraduar edhe nga gjuetia e paligjshme. Ndaj nesër do të dorëzojnë në Kuvendin e Shqipërisë një peticion me 20 mijë firma, për t’u rikujtuar se projektligjin ‘Për Gjuetinë’ i hartuar me ekspertizë të Shoqatës Europiane të Gjuetisë, po fle prej tre vitesh në sirtarët e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese.

Ata i janë drejtuar edhe Komisionerit për të Drejtën e Informimit, i i cili më datë 25 Shtator i ka kërkuar Ministrisë së Mjedisit që të respektojë Ligjin Për të Drejtën e Informimit, në të kundërt do të gjobiten me 300 mijë lekë gjobë.

Klan Plus