Ndryshoi ligji, kryebashkiaku: Fundi i një maratone institucionale, të respektojnë kushtetutën

Pas ndryshimit të rregullave për marrjen e shtetësisë shqiptare, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj thotë se ky është hapi i fundit i një maratone institucionale, por dhe hapi i parë i një kapitulli të ri për të lidhur fatet e qytetarëve me vendin tonë.

Për herë të parë pas këtyre ndryshimeve ligjore, Veliaj organizoi edhe betimin e tre shtetasve që morën pasaportën shqiptare.

“Ligji i ri kërkon nga sot që të jetë kryetari i bashkisë autoriteti i cili bën betimin e shtetasve të rinj të Republikës së Shëipërisë. Edhe pse tingëllon shumë formale në thelb është një moment shumë kuptimplotë dhe domethënës, ku ajo që na bashkon sot në këtë ambient nuk është as gjuha, as feja, as kombësia dhe as origjina nga ne kemi ardhur, por drejtimi nga do të lëvizim të gjithë se bashku nga tani dhe tutje përpara. Një drejtim që lidhet me një ideal të cilin shqiptarët e skalitën kaq bukur në faqen e parë të Kushtetutës.

Ndaj sot sidomos për ata që inspirojnë të bëhen shtetas shqiptarë, është shumë e rëndësishme të kuptojmë historinë nga kemi ardhur si shoqëri si dhe çfarë kushtesh të vështira dhe sakrificash është krijuar dhe ka avancuar shteti modern shqiptar. Është një lëvizje shqiptaria që vazhdon dhe frymon dhe sot duke na ndihmuar të ruajmë jo vetëm amanetin e heronjve dhe patriotëve tanë për të qëndruar më të fortë dhe më të bashkuar, por dhe për të kultivuar së bashku kulturën dhe traditat tona fisnike”, është shprehur Veliaj.  

Veliaj tha se të qytetarët që duan të marrin shtetësinë shqiptare duhet të marrin përgjegjësitë për respektimin e kushtetutës dhe historisë së vendit tonë. /tvklan.al