Një ish-studente e fakultetit të degës mami në Universitetin “Aleksandër Moisiu” tregon në emisionin “Stop” se ka përfunduar studimet në vitin 2019 dhe ka marrë kartonin e diplomës. Por ajo thotë, se nuk ka mundur të marrë listën e notave që i duhet për të bërë licensimin, në mënyrë që të nisë punë.

Gazetarja: Na shpjego çfarë po ndodh?

Denoncuesja: Kam që në vitin 2019 që kam mbaruar studimet Bachelor-Mami. Pas një viti më doli kartoni i diplomës dhe deri tani nuk më ka dalë lista e notave. Shkoj pothuajse çdo muaj për të pyetur a ka dalë apo jo, por nuk më japin shpjegim.

Gazetarja: Për çfarë të duhet apo për çfarë të penalizon mosmarrja e listës së notave?

Denoncuesja: Shumë dokumente të tjera, ose fillimin e praktikës e kam çuar me një verifikim të thjeshtë. Tani më duhet për licencën.

Gazetarja: Që pastaj të hysh në portal dhe të sigurosh një vend pune apo jo?

Denoncuesja: Po, po, më duhet. Jam pa rrugëzgjidhje. Unë nuk zgjidh dot asgjë, prandaj dhe ju drejtova juve.

Denoncuesja thotë se është paraqitur disa herë në sekretarinë e fakultetit, por nuk ka mundur të zgjidhë problemin e saj. Sekretarja i thotë se lista e notave nuk ka dalë akoma.

Sekretarja: Universiteti…

Denoncuesja: Mami.

Sekretarja: Jo, nuk të ka dalë akoma.

Denoncuesja: Si ka mundësi? Diplomën, kartonin kam mbi një vit që e kam marrë. Tani iu ka dalë të gjithë të tjerëve që e kanë mbaruar me mua.

Sekretarja: Ke pasur numër matrikulli?

Denoncuesja: Po, të gjitha.

Sekretarja: Të lutem do të vish pasnesër te kryesekretaria.

Denoncuesja: Okej.

Pas ndërhyrjes së gazetares së “Stop”, studentja brenda 24 orësh arrin të marrë në dorë dokumentin e shumëpritur.

Gazetarja: Në lidhje me këtë rast, emisioni “Stop” pati kontakt me rektoratin e këtij univeristeti, ku u pretendua se vonesat kanë ardhur për shkak të pandemisë, por dhe nga ana tjetër sepse studentja nuk ka bërë asnjëherë kërkesë për të tërhequr listën e notave. Lajmi i mirë është që në kohë rekord lista e notave do t’I jepet studentes dhe pikërisht në këto momente, vajza po tërheq listën e notave nga universiteti./tvkan.al