Do të zbutet CSU-ja në grindjen për azilin? Në Berlin diskutohen në ethe rezultatet e samitit të BE për migrimin. Nga CSU-ja sinjalet janë të ndryshme. Parti të tjera i kritikojnë ashpër rezultatet e tij.

Pas dy ditësh samiti në Bruksel, Angela Merkel është e kënaqur. „E kam shfrytëzuar maksimalisht kohën”, tha kancelarja gjermane në fund të samitit, lidhur me pyetjen, nëse ajo e ka përdorur afatin e vendosur nga CSU për zgjidhjen europiane të konfliktit për azilin. Greqia dhe Spanja janë dakord që të marrin menjëherë refugjatët e regjistruar tek ata e që kthehen në kufirin gjerman, bëri të ditur Merkel. Me Italinë Merkel nuk ia ka dalë të arrijë një marrëveshje.

Politika e azilit ashpërsohet

Këtyre marrëveshje bilaterale i shtohen edhe përfundimet e samitit të BE më 28 e 29 Qershor. Krerët e shteteve dhe qeverive të BE ranë dakord që refugjatët e shpëtuar në Mesdhe të vendosen në qendra pranimi të mbyllura në BE. Po shqyrtohet mundësia për kampe të tilla edhe në Afrikën e Veriut. Edhe Agjencia Europiane për mbrojtjen e kufijve, Frontex do të forcohet deri në vitin 2020. Kufijtë e jashtëm të BE duhet të mbrohen më mirë.

Qendra pranimi? Ideja tingëllon shumë e afërt me propozimin e kreut të partisë kristiansociale, CSU për qendrat e ankorimit, që në thelb parashikon që refugjatët të mblidhen në qendra të caktuara ku duhet të verifikohet deri në fund kërkesa e azilit. Kush refuzohet duhet të kthehet më shpejt në vendin e origjinës. Kjo kërkohet edhe në nivel europian.

Weber: “Merkel kryer punë”

CSU-së i pëlqen kjo zgjidhje, që e paraqet si fitore të vetën atë që është arritur. Samiti i BE-së „është një hap i madh”, thotë zëvendëskryetari i CSU-së, Manfred Weber për gazetën „Münchner Merkur”. Ai lëvdon edhe kancelaren Merkel. „Ajo ka kryer punë”. Sipas Weber, Europa mbetet kontinent i humanitetit, por në kufijtë e jashtëm ne kujdesemi që të vendoset rregulli.  „Këtu lexoj shumë politikë të CSU-së”. Hanns Michelbach, politikan kristiansocial u shpreh i rezervuar, se në Bruksel u vendos vetëm një ndryshim kursi, i cili duhet të realizohet në praktikë.  „Mendoj se duhet ta ushqejmë këtë ndryshim kursi, e deri atëherë natyrisht mund të kryhen veprime nacionale të veçuara.

Ndërsa kreu i liberalëve, Christian Lindner u shpreh se „me deklarata të paspecifikuara, me qëllime abstrake e me metodën vullnetare nuk do të vendoset rregull në Europë. Ky samit nuk ka sjellë sukses për ne.”

Mori fund grindja?

Mori fund kështu grindja mes CDU-së dhe CSU-së? Do të heqë dorë ministri i Brendshëm, Seehofer nga plani i kthimit të atyre refugjatëve në kufirin gjerman, që janë regjistruar në një vend tjetër më parë. Të shtunën Merkel dhe Seehofer takohen për të biseduar rezultatet e samitit. Vetë partitë e Unionit CDU dhe CSU vendosin të dielën (01.07). Por me rezultatet e arritura në samit, kancelarja gjermane i sheh kërkesat e CSU-së më shumë se të plotësuara./DW