Mori kredi me firmë të falsifikuar, pronari i lokalit pranon vjedhjen



Mori kredi me firmë të falsifikuar, pronari i lokalit pranon vjedhjen

21:15 01/03/2021

Një vajzë 28 vjeçe ka denoncuar në “Stop” Qemal Gorishovën. Sipas saj Gorishova duke shfrytëzuar të dhënat e identitetit të saj, i falsifikoi firmën, duke aplikuar për kredi me një vlerë 2 milion Lekë të vjetra. Aplikimi iu miratua dhe ai bleu dy aparate celularë.

Ngjarja ndodhi në vitin 2018 dhe vajza vihet në dijeni vetëm, kur i telefonojnë nga institucioni financiar, se duhet të shlyejë këstet e kredisë së marrë.  Por cila është lidhja mes palëve? Ajo punoi disa kohë si banakiere dhe menaxhere në bar-kafenë e Qemal Gorishovës.

Me këtë shtetas ajo ka dy çështje: për përndjekje, e cila u mbyll dhe për problemin e kredisë se marrë. Ekspertët pasi bënë akt-ekspertimin e firmës, nuk e përjashtuan mundësinë, që firma të ishte falsifikuar.

Megjithatë, gjykata, pas kërkesë-padisë së institucionit financiar, e detyroi vajzën, të zbatojë urdhrin për të shlyer shumën, që shkon në rreth 4 milionë lekë të vjetra, me gjithë interesat.

Për të vërtetuar pretendimin e saj, vajza na vë në dispozicion një video-regjistrim, ku Qemal Gorishova pranon, se ka qenë ai, i cili ka marrë kredinë me firmë të falsifikuar.

Denoncuesja: Hë njëherë, më trego, si e more?

Qemal Gorishova: Direkt, për gjysmë ore.

Denoncuesja: Kush është ky komshiu yt, që e ke marrë ti?

Qemal Gorishova: Ah, ai në Vlorë.

Denoncuesja: Po si ta rregulloi ky?

Qemal Gorishova: E bëri direkt ai, me një telefonatë.

Qemal Gorishova: I vajta unë për Erisin, nuk e bëri, se donte edhe Erisi.

Denoncuesja: Erisi?

Qemal Gorishova: E, se Erisi paska patur probleme.

Denoncuesja: Çfarë problemesh?

Qemal Gorishova: I doli emri. Ku di unë, se çfarë ka patur.

Denoncuesja: Edhe ti kishe patur probleme.

Qemal Gorishova: Për Erisin nuk e bëri, ja pyet Erisin!

Denoncuesja: Po mirë, pra, a kishe ti?

Qemal Gorishova: Mua ma bëri ai.

Denoncuesja: Po si ta bëri, pra? Ta bëri, se të ka mik?

Qemal Gorishova: Po!

Denoncuesja: Po asaj të bankës, si i ka thënë?

Qemal Gorishova: Ku di unë? Për gjysmë ore  vajta mora telefonin.

Denoncuesja: Ore, si ta dha me kartë tjetër, me emrin tim? Si ta dha ty?

Qemal Gorishova: E bëri direkt.

Denoncuesja: Po mirë mo, siç e ke marrë ti, siç e more ti për shembull. A more ti kredi në emrin tim?

Qemal Gorishova: Po!

Denoncuesja: A mund të marr edhe unë kredi në emrin tënd tani? Si e more ti?

Qemal Gorishova: Do pyes atë.

Denoncuesja: Se ti e more kollaj fare. Ti e hodhe firmën aty në emrin tim?

Qemal Gorishova: Po!

Denoncuesja: Pse më falsifikove firmën ti?

Qemal Gorishova: Aaa moj budalle! Unë e hodha kështu…

Çështja shkoi në gjykatë dhe tek përmbaruesi, por ky i fundit ka thënë se akti i ekspertimit është shumë evaziv pasi nuk është ndarë ende nëse është falsifikuar firma apo jo.

Përmbaruesi:  Akti i ekspertimit është shumë evaziv, një herë ju jep të drejtë, një herë nuk ju jep të drejtë. Një herë thotë, që nuk mund të provohet, një herë  thotë, që edhe mund të jetë firmosur.

Gjykata vendos pezullimin e vendimit kur: Çështja nuk mund të zgjidhet para, se të zgjidhej një çështje tjetër penale, civile, ose administrative.

Denoncuesja: Në gjykatë janë marrë më tepër me çështjen e përndjekjes. Çështja e përndjekjes është  mbyllur. Ekspertizën e kam kërkuar unë, në prokurori.

Përmbaruesi: Prokurorinë ju e vini në lëvizje. Mbaj mend, para disa kohësh, e kemi marrë në telefon (Qemal Gorishovën)  dhe ka thënë, se  “detyrimin do ta paguaj unë”, por në asnjë moment nuk e ka pranuar. Po flasim për diskutimet telefonike, që janë bërë me zyrën e përmbarimit./tvklan.al







Të ngjashme