“Mos e trash zërin me mua, ti nuk e di nga jam”, debate të ashpra mes Sandër Lleshajt dhe Myslym Murrizit



“Mos e trash zërin me mua, ti nuk e di nga jam”, debate të ashpra mes Sandër Lleshajt dhe Myslym Murrizit

11:13 29/10/2020

Parlamenti u përfshi nga debate të ashpra mes deputetit Myslym Murrizi dhe ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj.

Ka qenë Murrizi ai që i tha ministrit Lleshaj mos të bëjë show me deputetët dhe policinë.

Ministri i Brendshëm u kundërpërgjigj duke thënë se deputetët nuk kanë asnjë mbrojtje përpara policisë. Përgjigjia e Lleshajt nxiti akoma më shumë debat me deputetin Murrizi.

Myslym Murrizi: Tre ministra në 30 vite, z.Lleshaj, kanë tentuar të bëjnë paradë dhe show me deputetët. Dy kanë ikur si sëpata pa bisht. Njëri që kërkonte të hiqte xhamat e makinave në oborr të Kuvendit, tjetri që bënte videoklip duke gjëmuar makinën e ministres Kodheli se gjoja nuk kishte rryp shoqëruesi, dhe akti i turpshëm juaj, i Ministrisë apo i drejtorit tuaj të policisë, shoferit dhe taksistit të Balilit, ishte ndëshkimi në derë të Kuvendit dhe prurja e policisë si në kohë të monizmit, të 2-3 deputetëve për të dërdëllisur para qytetarëve që ju që nuk pyesni për deputetët nuk ju bie mendja për qytetarët. Jeni shumë të vegjël për ta bërë këtë dërdëllisje, si ti, si ai shoferi i Eskobarit.

Sandër Lleshaj: Unë krahasohem vetëm me veten time dhe nuk besoj që mund të më bëni krahasime me asnjë njeri. S’e keni as atë tagër. Duhet t’ju them që policia nuk ka asnjë objekt të merret me deputetët, por policia as nuk njeh ndonjë hierarki përballë ligjit. Përballë ligjit, besoj që deputetët janë ata të parët që duhet të japin llogari.

Myslym Murrizi debaton nga vendi.

Sandër Lleshaj: Jam ministër dhe po të them, në qoftë se ti kërkon të bësh politikë e të fitosh pikë me policinë, harrojë që mund të fitosh. As dua të jem i ngjashëm me ty. Polic ke qenë dhe polic ke mbetur. Po mos kujto se mund të fitosh pikë përballë policisë. Je polic, ke qenë polic dhe ke dështuar në policinë financiare dhe po të them që harroji këto intimide ndaj policisë. Zbatoje ligjin sepse përballë ligjit ti je askushi.

Myslym Murrizi debaton nga vendi.

Sandër Lleshaj: Mos u përpiq të trashësh zërin sepse e ke organikisht të pamundur ta trashësh, sidomos me mua. Ti s’e di se nga jam unë more!

/tvklan.al




Të ngjashme