Një qytetar është dhunuar rëndë nga një grup prej 10 personash për arsye banale, ndërsa asnjë nga të dyshuarit nuk është proceduar ende. Rasti është denoncuar në emisionin “Stop” në Tv Klan. Ngjarja ka ndodhur në Vorë në datën 8 Maj, kur qytetari Alfred Çuko u sulmua dhe u dhunua nga 10 persona.

Këta të fundit e qëlluan me qytën e pistoletës dhe sende të forta, duke i shkaktuar 3 çarje në kokë dhe dy brinjë të thyera. Qytetari ka thënë për “Stop” se të dyshuarit i janë drejtuar me fjalët “mos kalo nga lagjia ime”. Ky ka qenë edhe shkaku i kësaj ngjarje. Nipi i të dhunuarit ka identifikuar dy prej persona të dyshuar. Ai bëri denoncim në Komisariatin e Vorës, por ende sot nuk ka asnjë të ndaluar.

Alfred Çuko: Në datën 8, duke dalë aty te disqet, hodha disa këngë, sa dola që aty 10 veta më goditën me pistoleta te koka. Edhe më thyen edhe dy brinjë. Dy nga ato persona i njeh nipçja. Njërin e quajnë Azem Elezi, kurse të tjerët nuk i njoh me emra. S’kam pasur asnjë lloj konflikti. E pyeta nipçen, më tha s’kam asnjë lloj konflikti. Unë humba ndjenjat fare, më ka marrë policia, më ka çuar në Spitalin Ushtarak. S’është kapur asnjë. Kërkoj drejtësi nga shteti. Me këto mjete të rënda që jam goditur, të lihen personat rrugëve? Kjo do të thotë që s’ka shtet fare.

Nipi i të dhunuarit: Njoh Azem Elezin, edhe Xhonin. Të tjerët nuk i njoh. Arsyeja që kanë qëlluar, ka qenë vetëm mos kalo nga lagjia ime. Duke qenë daja im në spital, unë kam bërë denoncimin te Arian Mara, OPGJ-ja e Vorës. I kemi bërë deklaratat të gjitha, po masat nuk janë marrë nga ana e OPGJ-së nga Komisariati i Vorës, nuk janë marrë asnjë masë. Personat janë prapë të lirë.

Gazetarja e emisionit “Stop” u interesua pranë komisariatit të Vorës për të takuar oficerin e policisë gjyqësore, Arian Mara, që ka marrë përsipër këtë çështje. Ky i fundit nuk ndodhej aty në momentin që gazetarja shkoi për ta takuar. Megjithatë, në një bisedë telefonike që gazetarja e “Stop” pati me shefin e komisariatit të Vorës, Agron Dosti, ky i fundit tha se materialet i janë referuar Prokurorisë dhe për më tepër informacion duhet bërë kërkesë tek zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Komisariati i Vorës

Gazetarja: Arian Mara, se ky është OPGj-ja e çështjes. Çfarë ka bërë për rastin?

Punonjësi i policisë: Për momentin nuk ndodhet! Ata tipat janë shoqëruar, janë bërë proceduar të gjitha, janë mbajtur 10 orë këtu. I kanë çuar letrat në Prokurori.

Gazetarja: Si?

Punonjësi i Policisë: Kanë shkuar në prokurori.

Biseda telefonike me shefin e Komisariati Vorë

Shefi Agron Dosti: Shiko! OPGJ-ja është në një detyrë. Për momentin, është tek Drejtoria e Përgjithshme.

Shefi Agron Dosti: Unë jam në një ngjarje. Të gjithë informacionin për rastin që ju po interesoheni, do ta merrni tek zëdhënësja për shtyp në Drejtori.

Emisioni “Stop” u interesua pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë, ku pati kontakt me zëdhënësen, e cila i tha gazetares se nuk ka informacion për këtë ngjarje dhe duhet t’i dërgojë një kërkesë zyrtare për të marrë përgjigje.

Biseda me zëdhënësen e Drejtorisë së Policisë Tiranë

Gazetarja: Unë shkoj tek Komisariati Vorë, të marr informacion tek OPGJ-ja,OPGJ-ja më thotë do ta marrësh tek Drejtoria e Përgjithshme. Çfarë shkrese duhet të bëj? Çfarë interesimi? Ku janë…autorët janë kapur, sepse kam informacion që autorët janë akoma nëpër lagje, bredhin lirshëm.

Zëdhënësja Julia Shota: Të kuptoj, por unë nuk kam informacion! Do ma dërgosh shkresën në mënyrë zyrtare të lutem!

Pas shkresës së dërguar zyrtarisht, mbërriti edhe përgjigjia e Policisë së Tiranës, ku thuhet se materialet për këtë ngjarje i janë referuar Prokurorisë për veprën penale “plagosje e lehtë me dashje”!? Vetë qytetari shkoi më pas pranë organit të akuzës për t’u informuar në cilën fazë janë hetimet që po kryhen për çështjen e tij. Aty ai nuk merr asnjë përgjigje.

Qytetari: Jam interesuar për kallëzimin e këtij vëllait tim. Desha të marr vesh, a kanë ardhur letrat në Prokurori apo jo?

Punonjësi i Prokurorisë: Kur e ka bërë kallëzimin ai?

Qytetari: Vajti 10 ditë, që e ka bërë kallëzimin. Desha ta merrje vesh, a e kupton? Ka ardhur si denoncim, apo s’ka ardhur?

Punonjësi i Prokurorisë: S’kam, ku të çoj unë.

Qytetari: Nuk ka, nuk ka asnjë prokuror të gatshëm këtu?

Punonjësi i Prokurorisë: S’ka prokuror të gatshëm, nuk marr asnjë lloj të dhëne, prokurori i gatshëm. Sekretaria të çon tek shefja, dhe shpërndahen, kush do ta marri si prokuror, të martë dhe të enjte.

Qytetari: Të martë dhe të enjte?

Punonjësi i Prokurorisë: Po., 2 me 4.

Qytetari: 2 me 4? Ok!

Ndërkohë që sot Prokuroria bëri me dije se materialet i kanë mbërritur dhe kjo ngjarje po hetohet për veprën penale “plagosje e lehtë me dashje”. /tvklan.al