Akuzat e opozitës se qeveria “po e jep Parkun e Butrintit me koncesion” nisën që në vitin 2022. Shkak u bë fakti që Butrinti do të menaxhohej për 10 vite nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, pas marrëveshjes me Ministrinë e Kulturës.
“Do jetë zona e parë pa asnjë përqindje karboni”, theksoi kryeministri Edi Rama asokohe, duke i konsideruar “mungesë vizioni” pretendimet e palës kundërshtare. Edhe vetë kryetari i bordit të këtij fondacioni Michael Granoff në atë kohë nënvizoi se qëllimi i vetëm është investimi për mbrojtjen e Parkut.
Pasi kanë kaluar më shumë se dy vite, Rama e solli sot në kujtesë, teksa fliste për qendrat teknologjike me kontribut të posaçëm nga fondacioni.
“Ne sot jemi në kushtet kur po zhvillohet në mënyrë intensive, interesi por edhe praktika e studimeve të të gjitha niveleve për teknologjinë e re dhe duke qenë se në këtë program të ri ka një kontribut të posaçëm edhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan, dua të theksoj që falë kontributit të këtij fondacioni Fondacioni Shqiptaro-Amerikan në fakt ju e njihni si fondacioni që grabiti Butrintin, se këto të tjerat nuk janë shumë publike, po besoj e keni dëgjuar që Butrintit është grabitur”, tha Rama.
Nuk la pa ironizuar deklaratat e të djathtëve.
“Kështu që kur të shkoni në Sarandë për pushime mos shkoni në Butrint se nuk është më aty. Janë marrë të gjithë gurët e vjetër, është ngritur në hava e gjithë zona dhe e kanë çuar diku që nuk dihet akoma se ku, por nuk është bërë shumë publike se çfarë bën Fondacioni Shqiptaro Amerikan për teknologjinë”, përfundoi kreu i qeverisë.
E.D/tvklan.al