Kryeministri i Italisë Giuseppe Conte ka paralajmëruar dy partitë populiste në pushtet se do të japë dorëheqjen nëse nuk ndalojnë retorikën mes tyre. Conte tha se partitë duhet të respektojnë detyrimet e qeverisë, ose “do t’i japë fund mandatit të tij”. Koalicioni mes “Lega Nord” dhe “Lëvizjes 5 Yjet” po përballet me disa çështje të cilat kërkojnë zgjidhje.

Italia duhet të ndërmarrë vendime të vështira për shpenzimet dhe Kryeministri Conte kërkon një mandat të qartë për të vazhduar bisedimet e borxhit me Bashkimin Europian. Në një konferencë shtypi, Conte kërkoi “bashkëpunim besnik” nga ministrat, dhe tha se do një “përgjigje të qartë dhe të shpejtë”.

Matteo Salvini, kreu i partisë “Lega Nord”, u shpreh se nuk ka ndërmend të rrëzojë qeverinë. Ai tha se është koha për të bërë reforma të nevojshme, të tilla si më shumë autonomi për rajonet, dhe për këto është i gatshëm të diskutojë me partnerët e koalicionit. Edhe Luigi Di Maio, kreu i partisë “5 Yjet”, kërkon që koalicioni të mbijetojë dhe u shpreh i gatshëm të ulet në tryezën e bisedimeve.

Pas këtyre deklaratave, agjencia e lajmeve Ansa raportoi se dy liderët e koalicioneve kishin nisur përsëri dialogun dhe arritën një dakordësi për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve lidhur me projektet që kanë për qëllim nxitjen e ekonomisë. /tvklan.al