Secili prej nesh ka një rutinë të caktuar në mëngjes! Për disa është shumë bazike dhe zgjat shumë pak, e për të tjerë nis që në 5 të mëngjesit dhe zgjat me orë të tëra. Me shumë gjasë mund ta keni parë videon virale të trajnerit të fitnesit Ashton Hall, sa i takon zhytjes së fytyrës në një tas me akull pas zgjimit.

Ashton Hall

Pse e dhamë si shembull?

Për mirë apo për keq, është në natyrën tonë të krahasojmë veten me të tjerët. Thënë kjo, përmbajtje të tilla na “magjepsin” aq sa për momentin duam me patjetër të ndjekim të njëjtat hapa. Njerëzit në fakt kanë qenë të fiksuar për shekuj me radhë ndaj mënyrës si figurat të famshme apo suksesshme kalojnë mëngjeset e tyre. Përshembull, Benjamin Franklin shkroi për rutinën e mëngjesit në autobiografinë e tij në fund të viteve 1700, duke përshkruar se si zgjohej në 5 të mëngjesit duke vënë synimet për ditën, duke lexuar e studiuar.

Sado që na duket kaq e bukur, secili ka përvojën e tij krejtësisht individuale në mëngjes. Megjithatë, ca elementë janë universalë. Të gjithë zgjohen, vishen dhe zakonisht hanë mëngjes!

Por diçka duhet mbajtur parasysh, nëse keni një rutinë të rregullt, rrjedhimisht stresi do të reduktohet ndjeshëm. Mënyra si ti nis ditën përcakton gjithçka…

Qëndroni konçiz ndaj sjelljeve që ju bëjnë të ndiheni mirë dhe nuk sugjerohet në asnjë mënyrë që të besoni çdo gjë shihni në internet. Edhe pse shumë prej tyre japin mesazhe apo informacion, ka një të vërtetë. Videot pak minuta ose sekonda nuk tregojnë realitetin, ato shpesh modifikohen duke shkuar në një nivel përsosmërie të paarritshme. Nëse u besoni “verbërisht” dhe tentoni ta ndryshoni rutinën në mënyrë drastike, mund t’ju ndodhë të zhgënjeheni.

Nuk mund të ketë një rutinë perfekte çdo ditë! Ka ditë që zgjohemi plot energji, të tjera të rraskapitur ose pa gjumë… Thjesht mos harroni ato gjërat thelbësore, që janë në të mirë të shëndetit tuaj mendor!

/tvklan.al