Moska dhe ideja e rikthimit në formatin G-8

Posta

Moska dhe ideja e rikthimit në formatin G-8

08:20 28/08/2019

Takimi i nivelit të lartë i Grupit të Shtatëshes përmbylli punimet në Biarritz të Francës. Një ndër sugjerimet e ngritura gjatë punimeve ishte propozimi i Presidentit Trump për t’u kthyer vitin e ardhshëm tek formati G-8, duke përfshirë edhe Rusinë në takime. Rusia u dëbua nga grupi i vendeve më të industrializuara pas aneksimit të Krimesë në 2014. Moska iu përgjigj propozimit me një reagim të vakët.

Rusia nuk ishte temë në axhendën zyrtare të takimit të Francës, por u bë një temë e lakuar shpesh.

Presidenti Trump është shprehur disa herë se Rusia duhet të rikthehet në grup. Ai e përsëriti sugjerimin në konferencën për shtyp në mbyllje të takimit:

“Mendoj se më mirë që Rusinë ta kemi në tendë me ne, se përjashta. Gjithsesi mund të vazhdojmë edhe me të dyja format”.

Në Rusi ky sugjerim ka hapur diskutime të shumta, por shumica e analistëve janë skeptikë:

“Presidenti Trump i kushton shumë rëndësi reagimit të medias. Nuk mund t’ia marrësh drejtpërdrejt fjalët. Në 2018 e ka përmendur që Rusia duhet të rikthehet në grup. Ai e bën për të krijuar zhurmë mediatike dhe shpreson se ndoshta njerëzit do të epen më në fund dhe Rusia do të marrë ftesë në të ardhmen,” thotë konsulenti politik, Vitali Shkliarov.

Presidenti rus, nga ana e tij, është treguar i matur në komente:

“Grupi i Tetëshes nuk ekziston. Si mund të rikthehet Rusia në një organizatë që nuk ekziston? Tani kemi Grupin e Shtatëshes. Kur ngrihet ideja e negociatave mes tetë vendeve, ne nuk do ta kundërshtojmë. Ne kishim para disa vitesh radhën për të organizuar takimin e Grupit të Tetëshes, por partnerët tanë nuk erdhën në takim. Por gjithsesi jemi të lumtur të ftojmë partnerët tanë edhe në formatin e G-7,” tha zoti Putin.

Presidenti rus po luan një lojë inteligjente, strategjike, thonë disa vëzhgues, ndër ta Nikolai Roudenski:

“E pamë si i rrëshqiste temës kur po fliste për G-7. ‘Nuk e di… ndoshta…’. Rusia do ta shfrytëzojë më së miri këtë temë për arsye propagandistike. Kremlini e ka bërë zakon që e portretizon Rusinë si të pafajshme: ‘Na përjashtuan pa arsye. Ne jemi krenarë, jemi të fortë; armiqtë tanë e kanë kuptuar gabimin dhe tani po përpiqen ta ndreqin”.

Analistët mendojnë se Rusia mund të mos dojë të rikthehet, jo thjesht për arsye ideologjike, por edhe pragmatike:

“Në situatën aktuale politike, Kremlini mund të mos shohë përfitime të mëdha me rikthimin në Grupin e Tetëshes. Ata mendojnë se negociatat mund të vazhdojnë edhe në formate të tjera. Po ashtu Moska mund ta mendojë edhe disi të vjetëruar platformën që ofron G-7 dhe G-8,” thotë analisti Shkliarov.

Kreu i komisionit për marrëdhënie ndërkombëtare në Këshillin Federal të Rusisë, Kostantin Kosaçev kohët e fundit iu referua Grupit të Shtatëshes si “Shtatë kundër njërit,” jo “shtatë plus një” nëse Rusia ftohet për t’u rikthyer. Ai tha se këto probleme mund të shmangen nëse ftohen edhe India dhe Kina në grup./VOA


Reklama
Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
Grupi
UKT