Rusia ka deklaruar se do të jetë e gatshme të arrijë një marrëveshje të re për sigurinë e transportit detar në Detin e Zi, por me kushtin nëse Shtetet e Bashkuara urdhërojnë Presidentin Volodymyr Zelenskiy ta respektojë atë.
Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov në një intervistë mediat tha se vetëm një urdhër i tillë do të ofronte garancitë që i duheshin Rusisë.
“Ne do të kemi nevojë për garanci. Duke pasur parasysh përvojën e marrëveshjeve të dështuara që kemi bërë më herët me Kievin, garancitë mund të jenë vetëm rezultat i një urdhri nga Uashingtoni për Zelenskin dhe ekipin e tij”, është shprehur ministri i Jashtëm Sergei Lavrov.
Ai tha gjithashtu se pengesat rreth eksporteve ruse të grurit kanë qenë një problem serioz në të kaluarën. Sipas Lavrov, çdo marrëveshje e re do të ketë nevojë për kushte strikte.
“Mua më duket se partnerët tanë amerikanë e kanë marrë këtë sinjal. Ata e kuptojnë se vetëm Uashingtoni mund të arrijë rezultate pozitive në ndalimin e sulmeve terroriste, ndalimin e bombardimeve të infrastrukturës civile dhe energjetike”, tha Lavrov.
Komentet e Lavrov tregojnë se Rusia do të kërkojë nga SHBA më shumë presion mbi presidentin ukrainas përpara se të bie dakord për një armëpushim detar, për të cilin Uashingtoni thotë se do të ishte një hap i rëndësishëm drejt një armëpushimi më gjithëpërfshirës.
Ndërkaq, detajet e bisedimeve midis SHBA-së dhe Rusisë të cilat u mbajtën në Riad nuk do të bëhen publike, ka deklaruar Kremlini. Në terren, Kievi dhe Moska vazhdojnë të shënjestrojnë njëra-tjetrën.
Ukraina ka deklaruar se Rusia lëshoi 139 dronë dhe një raketë balistike të cilët dëmtuan gjithashtu linjat e energjisë hekurudhore, ndërsa nga ana e saj Kievi bëri të ditur se deri në 30 trupa ruse u vranë në një sulm ajror në infrastrukturën ushtarake në Kursk.
Klan News