Pas evidentimit të rasteve në disa Bashki të vendit ku numri i votave del më i lartë se numri i votuesve, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve është detyruar të sqarojë këtë anomali.

Përmes zëdhënëses Drilona Hoxhaj, KQZ bëri me dije se rezultatet janë paraprake dhe për rrjedhojë mund të ketë ndryshime në të dhënat përfundimtare.

Në deklaratën për media, zëdhënësja e KQZ tha se ky fenomen ka ndodhur edhe në zgjedhjet e kaluara, por theksoi se kjo problematikë zgjidhet përmes aplikimit të teknologjisë.

“Këto nuk janë rezultate përfundimtare dhe si të tilla mund të ketë edhe mospërputhje të cilat do të adresohen nga KQZ në momentin e nxjerrjes së rezultatin përfundimtar. Ky është një fenomen që është evidentuar në çdo proces zgjedhor, këtë radhë po evidentohet më dukshëm. Kjo problematikë zgjidhet në rast se procesi i votimit bëhet kryesisht përmes teknologjisë”, tha zëdhënësja e KQZ. /tvklan.al