Policët që ishin të bllokuar në stacionin policor të Tanushës shpëtuan, por jo edhe banorët e këtij fshati. Të bllokuar janë edhe banorët e Malinës dhe Brezës.

“Mbi një metra borë, nuk ka kurrfarë lëvizje. Malina, Breza dhe Tanusha gati tre ditë janë plotësisht të bllokuar.”

E katërta ditë që ata nuk munden të lëvizin nga shtëpitë për shkak të borës, që i bllokoi këto fshatra malore. Fatmirësisht, bagëtitë që i kanë nuk i lënë pa ushqim, por edhe për të arritur deri aty, kanë pastruar me orë të tëra.

“E kanë pastruar borën vetë për t’u afruar deri tek stanet e kafshëve.”

Edhe pse është larg vetëm 40 kilometra nga qendra e Shkupit, me rrugë të asfaltuar, autoritetet nuk janë në gjendje që ta pastrojnë rrugën. Banorët thonë që para tre ditëve, kur ka filluar intensivisht të bie borë, buldozerin e ndërmarrjes “Rrugët e Maqedonisë” i cili është në hyrje të fshatrave, punëtorët nuk kanë mundur ta ndezin, e më pas nuk e dinë se çka ka ndodhur.

“Pejkovski bëhet i shurdhër, nuk merr masa për këto tre fshatra. Bëhet sikurse gjoja nuk sheh dhe nuk di gjë për këto tre fshatra. Në emër të fshatarëve i bëj thirrje kryetarit të komunës dhe autoriteteve që të marrin masa sa më shpejtë.“

Kryetarin Jovan Pejkovskin, nuk e gjen dot. Në faqen e tij zyrtare në fejsbuk nuk ka numër telefoni, e numër telefoni nuk ka as në faqen e komunës. Komuna e Çuçer Sandevës ka më pakë se 8000 banorë, por as për këto pak banor autoritetet nuk po mund të kujdesen. Jo vetëm që nuk kujdeset, por kur nuk i shkojnë për qejfi, kryetari i komunës bile edhe i rrahë. Pejkovski po e kalon mandatin e tretë si kryetar komune, e problemi me rrugët gjatë stinës së dimrit përsëritet çdo vit.

Tv Klan