Vala e të nxehtit afrikan deri në fund të Korrikut, Gushti sjell pak freski

Vala e të nxehtit afrikan do të prekë të gjithë territorin shqiptar, ku në zona të caktuara termometri sipas MeteoAlb do të shënojë vlera deri në 43 gradë Celsius.

“Pritet që në këto ditë të nxehta termometri të shkojë në zonat e ulëta nga 39 deri në 42 gradë Celsius, por në zona të veçanta pritet që maksimumi të shkojë edhe në 43 gradë Celsius. Këto maksimume pritet të regjistrohen në qytete si Gjirokastra, Qarku i Beratit po ashtu dhe Qarku i Elbasanit pritet të regjistrojë vlera maksimale. Po ashtu dhe në zonat bregdetare pritet që maksimumet të shkojnë rreth vlerës 40 gradë Celsius”.

Muaji Korrik do të mbyllet me temperatura shumë të larta.

“Pritet që fundi i këtij muaji të mbyllet me temperatura të larta edhe pse mund të kemi luhatje me një 1 gradë Celsius, sërish temperaturat do të mbeten shumë të larta në territorin shqiptar, por jo vetëm vlerat maksimale dhe vlerat minimale pritet të kenë rritje të ndjeshme të tyre duke bërë që minimumet në zonat e Ultësirës Perëndimore të luhaten në vlerat rreth 28 gradë Celsius”.

Sipas MeteoAlb, muaji Gusht nis me mot të thatë e të nxehtë, por do të ketë një rënie 1-2 gradë të temperaturave.

“Do të kemi freskim me rreth 2 gradë Celsius por që sërish vlerat rreth 39 gradë Celsius për muajin Gusht janë vlera 8-9 gradë më të larta se vlerat normale. Por për fat të mirë pritet të kemi një përmirësim më të ndjeshëm të tablosë termike pas datës 5 Gusht”.

Për shkak të valës së nxehtë mjekët rekomandojnë shmangien e orëve të pikut gjatë mesditës dhe të qëndrohet në ambiente të freskëta.

Klan News