Ndonëse në jetë janë motër e vëlla, në skenë përpara publikut ata janë dy profesionistë që gërshetojnë bukur baletin klasik, neoklasik dhe atë kontemporan. Primobalerinët e Teatrit të Operas dhe Baletit Adela dhe Anxhelo Muçollari do të mbajnë recitalin e tyre të parë këtë fundjavë.

Ata kanë menduar që të ardhurat që do të mblidhen nga recitali i tyre i parë i titulluar “Në majë të gishtave”, të shkojnë për kurat e fëmijëve me sëmundje gjaku të Pediatrisë së Tiranës. Të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Adela dhe Anxhelo Muçollari treguan detaje nga recitali i tyre, i cili do të ketë shumë pjesë.

“Në majë të gishtave” mendojmë se është titulli i duhur për recitalin tonë të parë. Unë kisha shumë kohë që mendoja për të bërë një koncert recital, por prisja që në krahun tim të kisha Anxhelon. Ky recital do të jetë i veçantë sepse do të ketë brenda shumë pjesë, do të ketë ato të repertorit klasik botëror, do ketë balet neoklasik, muzikë live, interpretime të baletit kontemporan etj. Do të jetë një show shumë i bukur”,

tha Adela Muçollari.

Premiera “Në majë të gishtave” do të jetë më 15 Mars dhe do të rivihet në skenë edhe në datat 16 e 17 në ArTurbina.

/tvklan.al