Dy fëmijë të mitur, motër e vëlla, jetojnë të vetëm në fshatin Shirgjan të Elbasanit në kushte të papranueshme. Banesa e tyre ka pësuar dëmtime nga tërmeti i para disa muajve dhe është shpallur e pabanueshme. Autoritetet vendore e kanë konfirmuar këtë fakt, e megjithatë për këta dy fëmijë nuk kanë dhënë as bonus qiraje dhe as ndihma ushqimore. Situata është akoma edhe më e vështirë në kushtet e vetëizolimit për shkak të pandemisë.

Motër e vëlla jetojnë të vetëm pasi nëna e tyre ndodhet në emigrim për të punuar, por për shkak të mbylljes së kufijve e ka të pamundur që të kthehet. Ndërsa babai i tyre fatkeqësisht është ndarë nga jeta.

Ky është rasti që trajtoi mbrëmjen e sotme emisioni “Stop” në Tv Klan, për të ndihmuar Anxhelën dhe vëllain e saj më të vogël.

Anxhela Tanushi: Jam 19 vjeç, jetoj në fshatin Shirgjan, doja të bëja një thirrje kush ka mundësi për të na ndihmuar pasi shtëpia jonë ka qenë e dëmtuar dhe tërmeti që ra kohët e fundit e ka dëmtuar më keq dhe është bërë e pabanueshme. Komuna, kryeplaku i fshatit nuk na ka dhënë asnjë ndihmë dhe përgjigjia që na kthyen ishte që shtëpia nuk rregullohet dhe askush nuk e vendosi ujin në zjarr. Për bonus qiraje shkuam tek komuna dhe ata na thanë që jo. Erdhën këtu, i bënë dy fotografi edhe ikën, na kthyen përgjigje që nuk rregullohet. Unë jetoj vetëm me vëllain pasi mami ka shkuar në emigrim sepse duhet të punonte sepse nuk ja dilnim dot se kemi borxhe. Nuk është e lehtë pasi neve na ka vdekur edhe babi. Edhe kërkojmë një rikonstruktim të shtëpisë pasi nuk kemi ku të jetojmë. Vetëm me 30 mijë Lekë asistencë asnjë gjë më shumë. Të laj dritat, të laj ujin, të blej për të ngrënë, të vishem? Çfarë të bëj me 30 mijë Lekë? Asnjë gjë!

“Stop” u interesua për këtë çështje dhe bisedoi me administratorin e Njësisë Shirgjan, Ylli Dushkun. Ky i fundit thotë se janë dërguar të gjitha dokumentet për të shpërndarë ndihmat për këtë familje, por asgjë nuk ka ndodhur edhe pse kanë kaluar disa muaj.

Gazetarja: Unë të telefonoj për një problem të zonjës Fatbardha Tanushi, shtëpia e së cilës, ishte prekur nga tërmeti dhe nuk ka marrë asnjë ndihmë, as bonus qeraje, as cadër, asgjë. Pse ka ndodhur kjo?

Administratori: Është çu dokumentacioni, ka vajtur te emergjencat e bashkisë.

Gazetarja: Për cfarë ka shkuar dokumentacioni?

Administratori: Po, që është prekur nga tërmeti, do vijë, do vlerësohet nga inxhinierët e bashkisë.

Gazetarja: Tërmeti ka rënë në shtator dhe në nëntor dhe jemi në mars. Afati për bonus ka mbaruar. Kur janë dërguar letrat dhe kur do presi ajo, të marri bonus?

Administratori: Mesa dimë ne, bashkia Elbasan nuk ka bonuse.

Gazetarja: Po për cfarë i keni cuar letrat, pra?

Administratori: Po letrat i kemi cuar, që të vijnë të vlerësojnë dhe të shofim, si do veprojmë pastaj.

Gazetarja: Ju e keni parë shtëpinë e tyre?

Administratori: Po me e kemi parë, po shtëpi e vjetër, s’kemi ca t’i bëjmë.

Gazetarja: Dhe mendoni, se pret situata?

Administratori: Po s’e dimë tani.

Gazetarja: Po se këto procedura duhet të ishin bërë me kohë, jo të pritet akoma.

Administratori: Mirë zonjë, mirë!

Gazetarja: Po ndihma keni çuar, ndihma ushqimore?

Administratori: Ndihma kanë çuar.

Gazetarja: Familja më tha, që s’keni sjellë asgjë.

Administratori: Po ja do i shpërndajmë tani. E ka emrin në listë dhe do i shpërndajmë.

Gazetarja: Po, le të presim vitin 2021, që t’i shpërndani apo të ketë ndonjë gjë tjetër?

Administratori: Po prit moj zonjë, se do shpërndahen të gjitha, çdo gjë.

Gazetarja: Po jemi në fund të marsit. Ndihmat e tërmetit, do i shpërndani në prill?

Administratori: Jo, do ndihmohet patjetër. Do ndihmohet shumë.

Gazetarja: Kur?

Administratori: Ja tani, këto ditë.

Pas kësaj bisede, administratori Ylli Dushku është vënë në lëvizje, kjo për shkak të interesimit të emisionit “Stop”. Problemi që do të duhej të ishte zgjidhur kohë më parë për të ndihmuar motër e vëlla në vështirësi ekonomike dhe që jetojnë të vetëm, u zgjidh pas kësaj bisede me të.

Ylli Dushku telefonoi gazetaren e “Stop” duke e vënë në dijeni se janë siguruar ndihmat për këtë familje.

Gazetarja: Po!

Administratori: Alo! Fola me drejtorin dhe brenda dy ditëve do furnizohet. Nesër furnizohet pjesa veriore e bashkisë, se ka probleme mos na zej bora dhe pastaj do furnizohet pasnesër fusha.

Gazetarja: Me ushqime?

Administratori: Po, me ushqime.

Gazetarja: Po pse pikërisht tani?

Administratori: Po tani i sigurum, se ne i kemi siguru nga shoqatat ato të gjitha.

Ndërkohë emisioni “Stop” dhe fondacioni Firdeus ndihmuan Anxhelën dhe vëllain e saj duke i dhuruar pako me ushqimet në këtë kohë karantine. /tvklan.al