Të paktën 50 persona kanë humbur jetën në Bangladesh si pasojë e motit të ftohtë që ka mbërthyer vendin. Temperatura më e ulët në vend për këtë vit ishte 4.5 gradë, e regjistruar mëngjesin e së dielës në Tetulia, në veri të Bangladeshit.

Sipas zyrtarëve, të paktën 17 persona humbën jetën si pasojë e infeksionit akut të frymëmarrjes, ndërsa 33 të tjerë nga diarea, e shkaktuar nga rotavirusi dhe sëmundje të tjera nëpër Bangladesh, në një periudhë kohore prej 1 Nëntorit deri më 28 Dhjetor.

Sipas Ayesha Akhter, zyrtare e departamentit të shëndetit, spitalet janë të tejmbushur me njerëz të prekur nga sëmundje të lidhura me ftohjen, si influencë, dehitratim e pneumoni.

Akhter tha se më të prekur ishin ata me të ardhura të pakta, kryesisht punëtorët, të cilët janë më të prekurit nga moti i ftohtë për shkak të mungesës së rrobave, ndërsa shumë të tjerë, sidomos fëmijët dhe të moshuarit, janë të prekur nga sëmundje si pneumonia.

Shërbimi meteorologjik në vend tha se moti i ftohtë, i shoqëruar nga erë dhe mjegull pritet të vazhdojë edhe për ditët në vijim./tvklan.al