Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, thotë se po ndjek me vëmendje situatën e krijuar nga moti i keq që ka përfshirë vendin, kryesisht zonat malore.

Pranë drejtorisë qendrore të kompanisë OSHEE, është ngritur shtabi qendror pranë të cilit përcillen informacione nga dispeçerit rajonale të ngritura në 11 drejtoritë rajonale të OSHEE në vend.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, OSHEE tregon se rreth 1500 punonjës janë angazhuar në terren, në brigada avarie pune për eliminimin e të gjitha defekteve në rrjetin energjetik.

Sipas informacionit të orës 17.30, mësohet se është reduktuar ndjeshëm numri i fiderave me defekt, pjesa më e madhe e të cilave i përket linjave ajrore.

Defektet janë shkaktuar sidomos nga erërat e forta dhe rajoni më i prekur  vazhdon të jetë Shkodra për shkak të stuhisë së erës që ka përfshirë këtë rajon,

Grupet e avarisë po punojnë për riparimin e defekteve, të shfaqura kryesisht në degëzimet e fiderave në zonat e thella malore.

Rajonet pa energji:

Rajoni Tiranë: pjesërisht Autostrada Tiranë-Vorë, Vorë-Fushë Krujë, si dhe është stakuar për arsye mbingarkesë në linjën 35 kV Shkozet-Shijak, Fideri Gërdec në Nst Vorë që mbulon zonën Gërdec

Rajoni Elbasan: Seferan/Belsh, komuna Pishaj/Gramsh

Rajoni Korça: Mbreshtan/Ersekë

Rajoni Burrel: Ish Komuna Fan, Bardhaj, Shullaz.

Rajoni Shkodër:  Ishull Shëngjin, Kelmend, Dobrac.

Rajoni Kukës:  Lekbibaj, Golaj.

Fidrat që furnizojnë spitalet, objektet të pushtetit qendror, vendor dhe konsumatorë të rëndësisë të  veçantë janë të gjithë në punë.

Të gjitha linjat 35 kV dhe N/Stacionet janë në skemë normale furnizimi me energji si  dhe hidrovoret janë të gjithë në punë./tvklan.al