Moti i keq, ministrja e Mbrojtjes: Ra shi sa për 1 muaj

Moti i keq, ministrja e Mbrojtjes: Ra shi sa për 1 muaj

18:05 24/09/2019

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka thotë se moti i keq duke shkaktuar përmbytje ka prekur veçanërisht Tiranën, Kamzën, Lezhën, Laçin dhe Fushë-Krujën.

Në një dalje për mediat, ministrja bëri me dije se reshjet që ranë mbrëmjen e së hënës janë sa mesatarja mujore.

“Ka qenë një natë me reshje të një intensiteti të pazakontë, ku në një periudhë prej disa orësh ka rënë një sasi shiu e barabartë me mesataren mujore apo edhe disa mujore dhe që ka prekur veçanërisht Tiranën, Kamzën, Lezhën, Laçin apo Fushë-Krujën. Fatmirësisht, edhe pse infrastruktura, sidomos kanalizimet e kolektorët, e kanë pasur të vështirë të përballojnë fluksin e jashtëzakonshëm të ujit në momentet e para, aktualisht situata paraqitet e stabilizuar dhe pa probleme, me përjashtim të disa zonave të izoluara, të cilat janë asistuar e po asistohen tani që flasim, nga autoritetet vendore të mbështetura nga shtabet e emergjencave, ekipet e infrastrukturës dhe Forcat e Armatosura”.

Ministrja e Mbrojtjes bëri edhe një bilanc për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet.

“Sipas informacioneve që përditësohen orë pas ore, në qarkun e Tiranës në 105 banesa ka prezencë uji dhe vështirësi ka pasur në Bashkinë e Kamzë, kryesisht në rrugët e brendshme. Dhjetra efektivë të Forcave tëArmatosura janë angazhuar që prej orëve të para të natës e vazhdojnë të qëndrojnë pranë banorëve, ndërsa rreth 400 efektivë të tjerë bashkë me mjete janë në gjendje gatishmërie. Sipas raportimeve, ekipet në terren nuk kanë nevojë për kapacitete e mbështetje shtesë dhe situata pritet të normalizohet plotësisht. Në Fushë-Krujë kemi pasur situatën ndoshta më problematike, për shkak se zona të ndryshme të kësaj njësie administrative funksionojnë edhe si ujëmbledhës për zona të tjera të Tiranës. Aktualisht raportohet për 10 familje në fshatin Larush dhe 8 familje në njësinë administrative Bubq në banesat e të cilave ka prani uji. Në fshatrat Bilaj, Murqine dhe Mallkuç, lumi Ishëm doli nga shtrati dhe ka përmbytur toka bujqësore, duke rrezikuar edhe shtëpitë e ndërtuara pranë lumit. Në bashkinë Lezhë, aktualisht situata është e normalizuar pas rritjes së nivelit të ujit mbrëmjen e djeshme në lagjen “Beslidhja”. Në Bashkinë Kurbin situata ishte më problematike, pasi reshjet me intensitet të lartë bënë që të dalin ujërat e përroit në qendër të Laçit. Rritja e nivelit të ujërave mbi kapacitetin e përcjelljes së kolektorit Laç-Milot, bëri që të përmbyten disa banesa të ish-kombinatit të drurit dhe evakuimin e një familjeje. Ka rreth 350 ha tokë nën ujë”.

Xhaçka theksoi se situata më e vështirë tashmë kaloi, ndërsa në terren janë të angazhuar emergjencat civile, Forcat e Armatosura, policia, teknikët e OSHEE dhe stafet mjekësore. /tvklan.al




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi