Erërat e forta, shirat e dendur dhe dallgët mbi 6 ballë në det kanë paralizuar tërësisht punën në portin e Durrësit. Situata e përkeqësuar e motit e ka bërë mjaft të vështirë punën aty, ndërkohë që mësohet se është ndaluar dalja e anijeve dhe peshkarexhave në det. 

Porti i Durrësit është përfshirë gjatë orëve të para të mëngjesit nga moti i keq dhe deti i trazuar. Era e fortë që fryn nga jugperëndimi ka bllokuar përkohësisht përpunimin e mallrave, si dhe nisjen e anijeve nga ky port.

Burime zyrtare nga kapitaneria e portit thanë se era e fortë i ka detyruar anijet tregtare dhe elektro-vinxhat që punojnë për ngarkimin dhe shkarkimin e tyre, të ndërpresin punën në pritje të përmirësimit të motit.

Nga burimet zyrtare mësohet se në det të hapur nuk janë lejuar moto-peshkatorët, ndërsa anijet tregtare që ndodhen në radën pranë portit, nuk kanë paraqitur probleme.

Në të njëjtën situatë me anijet e tonazhit të rëndë dhe atij të mesëm, janë përfshirë edhe tragetet e linjave që kanë destinacion brigjet italiane.

Në gjirin e Durrësit era ka fryrë me shpejtësi deri në 18 metër në sekondë dhe forca e detit arrin në 6 ballë. Por sipas të dhënave që ka kapitaneria, moti pritet të përkeqësohet.

Ndërkaq shirat e shumta kanë shkaktuar përmbytje edhe në rrugët e qytetit bregdetar, po kështu në ujë kanë përfunduar edhe shtëpi dhe biznese në disa lagje të qytetit, ku më e rëndë situata paraqitet në Plazh dhe në Shkozet.

Tv Klan