Dëborë dhe ngricë në Korçë e Theth, anulohet lundrimi i trageteve drejt Barit

Temperaturat në zonën e Korçës kanë shënuar vlera disa grade nën zero, ndërsa trashësia e dëborës varion nga 5-20 cm. Akset nacionale janë të kalueshme, por rekomandohet që lëvizja të bëhet me goma dimërore.

Ndërkohë, dyshohet se një 70-vjeçar mund të ketë ndërruar jetë për shkak të temperaturave të ulëta. Megjithatë pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

Nga ana tjetër në segmentin Bogë-Theth po punohet për pastrimin e rrugës me 4 borëpastruese dhe mjete të tjera, për shkak se trashësia e dëborës ka arritur mbi 1 metër. Ekipet e punës në terren theksojnë se aksi është i hapur për qarkullimin e automjeteve, rekomandohet përdorimi i gomave dimërore dhe pajisja me zinxhirë.

Për shkak të motit të keq Autoriteti Portual i Durrësit ka njoftuar anulimin e lundrimit të dy trageteve drejt Barit. Ndërsa linja Durrës-Ankona-Durrës do të vazhdojë normalisht.

Klan News