50 cm dëborë në Veri, portet pezullojnë lundrimin

Reshjet e shiut dhe të dëborës kanë përfshirë vendin këtë fundjave. Veriu dhe Verilindja e vendit është mbuluar e gjitha nga dëbora. Në zona të thella trashësia e saj ka arritur nga 30 në 50 centimetra.

“Zonat malore kanë patur dëborë, më e dendur dëbora ka renë në Veri-Verilindje ku trashësia e dëborës ka arritur rreth 30 cm, në zonat e thella edhe gjysmë metër trashësi dëbore”, thotë Hakil Osmani.

Reshjet e dëborës nuk kane shkaktuar probleme në rrugët nacionale të cilat mbeten të hapura.

Tropoja dhe Kukësi kanë marre sasinë më të madhe të reshjeve të dëborës. Rrëshqitjet e dherave kanë bllokuar rrugën e fshatit Nimce në njësinë administrative Topojan në Kukës.

Largimi i dherave dhe gurëve shkëmborë u bë e mundur gjatë orëve të para të mëngjesit. Reshjet e dëborës kanë shkaktuar probleme në rrjetin e furnizimit me energji elektrike të disa fshatrave, të Kukësit.

Ndërsa jugu dhe Shqipëria e mesme, kanë përjetuar reshje shiu të dendura.

“Reshjet e rena nga e shtuna deri sot, kane shënuar nga 40 deri 70 mm shi në rreth 30 orë, sasitë më të mëdha kanë rënë në Jugperëndim”, shton Osmani.

Reshjet e shiut dhe era e fortë ka qenë problematike për zonat bregdetare, për pasoje në Vlore janë pezulluar të gjitha lundrimet dhe daljet në det për mjetet e vogla dhe ato të peshkimit. Sinoptikanët thonë se moti pritet të përmirësohet.

Ende e paqartë është situata e motit në ditën e ndërrimit te viteve, ku sërish mund të këtë reshje shiu por edhe dëbore në zonat e thella.

Tv Klan