Shqipëria, edhe pse në sezonin e pranverës, është përfshirë nga i ftohti, duke rikthyer reshjet e dëborës në pjesën më të madhe të vendit në veri, verilindje, lindje dhe juglindje.
Në Dibër reshjet e dëborës kanë arritur deri në nivelin e 30 centimetrave në zonën e Kalasë së Dodës.
Reshjet e dendura të dëborës kanë shkaktuar probleme në qarkullimin rrugor. Në aksin Peshkopi-Maqellarë, dhjetëra mjete janë bllokuar në dy pika, një tek ura e Melanit, dhe një bllokim tjetër tek malorja e Dovolanit. Situatë e njëjtë është edhe me aksin Peshkopi-Kukës, por nuk raportohen bllokime rrugësh.
Reshje me intensitet ka pasur në disa zona të veriut të vendit. Shkodra dhe Kukësi janë qarqet më të prekura.
Kjo ishte pamja e qytetit të Pukës paraditen e kësaj të diele.
Akset Bogë-Theth, Pukë-Fushë Arrëz, Kukës-Ura Zapodit dhe Qafa e Malit kanë prezencë dëbore në rrugë.
Reshje dëbore ka pasur edhe në zonat malore të Lezhës. Qarkullimi i mjeteve në segmentin rrugor Kallmet-Ungrej është kryer me vështirësi. Nuk kanë munguar edhe problemet në furnizimin me energji elektrike.
Edhe juglindja është zbardhur nga dëbora. Flokët e bardhë pushtuan edhe qytetin e Korcës dhe të Pogradecit.
Ministria e Mbrojtjes ne nje përditësim te sajin mbi situatën, njofton se në “Rrugën e Kombit” si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës, po punohet me 27 borëpastruese dhe hedhëse kripe njëkohësisht. Ne qarkun Shkodër, të gjitha akset rrugore nacionale janë të kalueshme.
Në aksin rrugor Bogë-Theth kalimi bëhet vetëm nga mjetet e kalueshmërisë së lartë dhe të pajisura me zinxhirë. Edhe në aksin rrugor nacional Elbasan-Pogradec, në Qafë-Thanë, ka prezencë të reshjeve të dëborës dhe në terren janë mjetet e firmës kontraktuese që po bëjnë pastrimin e aksit nga dëbora. Sipas këtij dikasteri nuk ka asnjë rruge nacionale të bllokuar.
Reshjet e dëbores parashikojnë te bien në zonat malore në veri, verilindje, lindje dhe juglindje të vendit, në lartësitë mbi 500 metra nga niveli i detit. Ministria e Mbrojtjes njofton se temperaturat ne këto zona do te shkojnë deri në minus katër gradë Celsius.
Tv Klan