Vlora u përshi këtë të dielë nga stuhite e forta te erës. Si pasojë janë rrëzuar disa shtylla tensioni të cilat kanë lënë pa energji një pjesë të qytetit, përfshirë këtu dhe spitalin e Vlorës. Brigadat e kompanisë së shpërndajres së energjisë janë duke punuar në terren për riparimin e defekteve, por kushtet atmosferike kanë vështirësuar punën e tyre.

Pemët e rrëzuara në pyllin e Sodës në Zvërnec për shkak të stuhive kanë bllokuar për 45 minuta rrugën, ndërsa është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikse.

Probleme ka patur edhe me lundrimin, ku në zonën e plazhit të vjetër janë përmbytur 5 varka peshkimi për shkak të dallgëve të mëdha. Tragti i linjës Vlorë-Brindisi vijon të qëndrojë në radë, ndërsa anijet nuk janë lejuar të dalin në det. Fuqia e dallgëve të detit arrin në 7 ballë në gji e deri në 8 ballë në det të hapur.

Edhe në Durrës fuqia e dallgëve arrin në 8 ballë, duke sjellë anomali në lundrimin e trageteve. Vonesat kanë shoqëruar udhëtimin e pasagjerëve që vinin nga Ankona, ndërsa nisja e trageteve drejt Barit është shtyrë me 8 orë.

Si pasojë e motit të keq në det nuk janë lejuar të dalin anijet tregtare dhe barkat e peshkimit deri në përmirësimin e kushteve të motit.

Edhe në veri ka patur probleme me ngricat dhe erërat e forta. Në zonën e Pukës, konkretisht në Midë, elektriçistët po përballen me pengasat e borës për të riparuar një linjë që furnizon antenat e televizioneve për zonën e veriut dhe të ushtrisë. Ndërprerje të energjisë ka patur edhe në Fier. Stuhitë e shiut gjatë natës kanë këptur përcjellcat, si kanë thyer disa izolatorë.

Tv Klan