I gjithë vendi është vënë në gatishmëri për të përballuar motin e keq që ka nisur prej mesnates së të mërkurës.

Reshjet e shiut nuk kanë shkaktuar përmbytje, por të favorizuar edhe nga era e fortë, kanë çuar në paralizimin e trafikut detar.

Në portin e Vlorës është urdhëruar pezullimi i punës për tre ditë, duke mos lejuar asnjë mjet lundrues që të dalë në det. Trageti i linjës Vlorë-Brindizi është larguar të mërkurën dhe deri të hënën nuk do të kryejë itenerarin e parashikuar për shkak të situatës së rënduar.

Edhe në Durrës është ndërprerë puna në sektorin e ngarkim-shkarkimit. Anijet e peshkimit nuk kanë dalë në det. Kapiteneria ka urdhëruar daljen në det të anijeve me tonazh të ulët dhe të mesëm deri në një urdhër të dytë ndërsa tragetet e linjave me Italinë parashikohet të nisen ose të mbërrijnë me 6 ose 7 orë vonesë.

Është paralizuar ndërkohë edhe levizja e trageteve të linjës Sarandë – Korfuz për shkak të situatës së rënduar nga reshje me intesitet dhe erë të fortë.

Prefekti i Gjirokastrës ka mbledhur Shtabin e Emergjencave për të qenë në gatishmëri për çdo situatë. Mungesa e infrastrukturës rrugore në zonat rurale ka bërë që Prefekti të kërkojë ndërprejen e procesit mësimor.

Situata e motit të keq me reshje të dendura shiu do të jetë prezent deri mesditën e së premtes.

Sinoptikanët thonë se sasia e reshjeve që pritet të regjistrohet në dy ditë, është thuajse e barabartë me sasinë e reshjeve që bien gjatë një muaji.

Tv Klan