Pas një fundjave pranverore, me diell dhe temperatura të larta i ftohti polar ka sjellë reshje dëbore, shiu dhe temperatura të ulëta në të gjithë vendin.

Veriu dhe juglindja janë përfshirë nga reshjet e dëborës. Në Dibër trashësia e dëborës arriti deri në 10 centimetra, kurse në lartësinë mbi 800 metra mbi nivelin e detit, shkoi deri në 20 centimetra, por rrugët janë totalisht të hapura dhe pa asnjë problem për qarkullim.

Në Dardhë, Voskopojë dhe Vithkuq u regjistrua0 mbi 10 centimetra borë, por rrugët drejt këtyre destinacioneve turistike janë të hapura dhe mjetet qarkullojnë normalisht. Të hapura janë edhe segmentet nacionale që lidhin Korçën me Kapshticën, Qafë Thanën dhe Kolonjën.

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën me dije se në akset kryesore nuk ka probleme me qarkullimin. Nevoja për përdorimin e zinxhirëve është vetëm në akset Ura Çerenecit-Steblevë, Kuben-Vasije.

Në Ultësirë nuk pati borë, por era e fortë ka krijuar probleme për lundrimin. Në portin e Durrësit dhe të Vlorës u urdhërua pezullimi i lundrimit për anijet e tonazhit të mesëm dhe të ulët.

Era e fortë ka shkaktuar edhe probleme me furnizimin me energji elektrike. Shkodra dhe Burreli janë rajonet më të prekura. Nga brigadat e terrenit të OSHEE-së, në të gjithë vendin po punohet me intensitet të lartë për riparimin e defekteve.

Sinoptikanët parashikojnë që moti të përmirësohet gjatë fundjave, duke sjellë sërish rritje të temperaturave dhe largimin e reshjeve.

Tv Klan