Sipas parashikimeve pritet që kjo e enjte të sjellë reshje në të gjithë vendin. Për këtë arsye, Autoriteti Rrugor Shqiptar thotë se të gjithë kontraktorët kanë qenë dhe janë në gatishmëri. Në një njoftim për shtyp, ARRSH jep edhe një pasqyrim të gjendjes së rrugëve në akset kryesore të vendit.

Në Rajonin Jugor Gjirokastër: Në Qarkun e Korçës, rreth orës 4 të mëngjesit kanë filluar reshje bore me intensitet. Trashësia e borës shkon 5-15 cm. Po punohet pa ndërprerje nga kontraktorët e mirëmbajtjes për pastrimin e akseve.

Në Qarkun Gjirokastër qarkullimi kryhet normalisht në të gjitha akset. Vetëm në pjesën fundore të rrugës Erind-Çajup, rreth 5 km, rekomandohet përdorimi i zinxhirëve.

Në Qarkun e Korçës qarkullohet me zinxhir në: K/Boboshticë-Dardhë, Voskop-Voskopojë, Qafë Qarri-Ersekë, zona e Qafës së Qarrit.

Në Rajonin Qendror Tiranë: Ka reshje shiu në të gjithë Rajonin. Në lartësi ka pasur reshje bore, si në Sarisalltik, Qafë Priskë, Gjinar, Steblevë.

Rekomandohet përdorimi i zinxhirëve vetëm në pjesën fundore të rrugës Krujë-Sarisalltik.

Në Rajonin Verior Shkodër: Gjatë natës ka pasur reshje shiu në të gjithë rajonin dhe në lartësi ka pasur reshje bore. Kontraktorët kanë vazhduar punën për pastrimin e akseve dhe po mbajnë në monitorim të vazhdueshëm segmentet ku ka prezencë ngricash.

Qarkullohet me zinxhir, ose pjesërisht me zinxhir në rrugët: Qafë Dragalicë-Klenjë-Steblevë, 15-17 km, kryqëzim Domaj-Draj Reç, Trebisht-Doganë

Rekomandohen përdoruesit e rrugës, të bëjnë kujdes në lëvizje, sidomos gjatë orëve te para te mëngjesit dhe gjatë natës për shkak të lagështisë në rrugë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.

/tvklan.al