Probleme në Shkodër, Lezhë, Durrës e Vlorë

Me mijëra hektar tokë ndodhen nën pushtetin e ujit për shkak të reshjeve të dendura që kanë përfshirë vendin prej disa ditësh. Dalja nga shtrati e lumenjve Buna dhe Drini solli evakuimin e disa familjeve në Lezhë dhe në Shkodër.

Në fshatin Obot, në Shkodër u kërkua ndihma e makinave të ushtrisë pasi rruga është e pakalueshme për mjetet e tjera. Shkak i përmbytjeve në Obot të Shkodrës janë shkarkimet me 300 m3/s nga HEC-i i Vaut të Dejës. 

Në qytetin e Lezhës u përmbytën 2 lagje, ’11 Janari’ dhe ‘Besëlidhja’. Sasia e prurjeve në lumin Mat ngriti alarmin për përmbytje në zonën e bregut të Matës në Lezhë dhe Fushë Kuqes në Kurbin. 

Reshjet rikthyen përmbytjet në Durrës. Me dhjetëra rrugë u bënë të pakalueshme për këmbësorët pasi uji doli në nivelet e trotuareve, ndërsa vështirësi në qarkullim patën dhe automjetet.

Raportohet se lumi Erzen dhe lumi Ishëm kanë dalë nga shtrati dhe uji ka depërtuar në 15 banesa. Në Sukth, Katund te Ri, Rrushkull e disa fshatra të tjerë janë evakuuar dhjetëra familje.

Dalja e lumit Vjosa nga shtrati solli gjithashtu probleme edhe për Fierin dhe Vlorën. Shtabi i emergjencave në qytetin bregdetar ka nisur njoftimet për evakuimin e banorëve dhe bagëtisë për 15-20 banesa brenda shtratit të lumit. 

Edhe në Borsh, reshjet e vazhdueshme të shiut kanë sjellë rrëshqitjen e rrugës duke krijuar vështirësi në kalimin e automjeteve.

Kreu i Emergjencave Civile Haki Çako tha se po punohet intensivisht, ndërkohë që u bëri thirrje bashkive që të jenë më të përgatitura për të tilla situata.

“Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e bashkive, masat paraprake dhe çdo situatë që kërkon mbështetje dhe gatishmëri të strukturave të tjera, do duhet ndërhyrja e tyre. Një situatë e tillë reshjesh përfshin të gjithë vendin ndaj çdo bashki duhet të jetë e gatshme pa pritur një zgjidhje të të tjerëve”.

Çako tha se shtabet e emergjencës ndodhen në terren për të ndërhyrë në zonat ku do të këtë nevojë.

Tv Klan