Sinoptikanët: Përmirësohet të dielën

Rrebeshet e pazakonta të shiut përmbytën rrugë dhe shtëpi në disa fshatra rrëzë malit të Moravës në Korçë të enjten mbrëma. Një ditë pas vërshimeve të ujit, në fshatin Zëmblak të bashkisë së Maliqit, ajo ç’ka ka mbetur janë balta dhe inertet. Pas më shumë se 5 orësh shi, rruga e fshatit është thuajse e gjitha jashtë funksionit.

Sipas vlerësimit paraprak të bashkisë së Maliqit dhe Emergjencave Civile në shtëpitë ku depërtoi uji dëmet janë të vogla. Reshjet e shiut të shtuara ndjeshëm gjatë mesnatës edhe në ultësirën perëndimore krijuan probleme në disa rrugë të qytetit të Durrësit.

Sinoptikanët parashikojnë reshje shiu me intensitet edhe për këtë të premte dhe të shtunë, kryesisht në qarkun e Korçës.

“Në zonat lindore reshjet do të jenë edhe në formën e rrebesheve, ndërsa në ultësirën perëndimore momente me pika shiu. Më të fokusuara reshjet do jenë në qarkun e Korçës, ku do kemi edhe vërshime të përkohshme të ujërave.”

Moti do të përmirësohet nga dieta e diel.

“Javës që vjen, do të kemi dominim të kthjellimeve në pjesët më të mëdha të ditës, reshjet do jenë të izoluara vetëm në zonat malore. Java tjetër do sjellë një rritje të ndjeshme të temperaturave të ajrit duke bërë që maksimumi të shkojnë në 34 apo 45 gradë Celsius.”

10 ditëshi i fundit i muajit qershor parashikohet të mbyllet kryesisht me mot të qëndrueshëm.

Tv Klan