Një stuhi bore dhe erëra të fuqishme kanë goditur Gjermaninë të dielën, duke detyruar trenat që të anulojnë udhëtimet e përditshme. 28 njerëz janë plagosur ku 2 prej tyre janë në gjendje të rëndë si pasojë e rrugëve të akullta. 222 aksidente për shkak të kushteve të rënda atmosferike që nga e shtuna.

Operatori kombëtar i trenave tha se linjat kryesore të trenit mes Hamburgut dhe Hannoverit, Berlinit dhe perëndimit, janë anuluar për shkak të grumbullit të borës që ka bllokuar shinat dhe linjat energjetike.

Ndërkaq, shërbimi gjerman për motin u ka bërë thirrje njerëzve që të qëndrojnë në shtëpi.

Franca po përballet me përmbytje të mëdha, lumenjtë vërshuan në rrugët e Parisit duke përmbytur qindra hektarë tokë. Kryeministri francez tha se janë në prag të gjendjes se emergjencës kombëtare.

Një paralajmërim për borë është lëshuar në Anglinë lindore dhe juglindore dhe do të mbetet në fuqi deri mëngjesin e të hënës.

Paralajmërime për borë dhe akull po ashtu janë lëshuar në pjesën më të madhe të Anglisë, Skocisë dhe Uellsit Lindore. Zyrtarët e shërbimit meteorologjik thonë se do të ketë shumë ngjashmëri me “Bishën” nga lindja të 2018. E gjithë kjo për shkak të një kombinimi të ajrit të ftohtë nga skandinavia dhe Rusia, dhe stuhisë Darcy, që do të sjellë erë dhe borë.

Pjesë të Skocisë kanë regjistruar ndërkohë reshje të mëdha bore ditët e shkuara, me mbi 50 cm borë në disa zona. Akoma më shumë borë pritet në pjesët lindore të Skocisë në vijim me 10 deri në 15 centimetra në disa zona, veçanërisht mbi lartësinë e 200 metrave.

Edhe Londra është në alarm me disa zona që mund të shohin gjatë ditës 10-20 centimetra borë.

Ekspertët paralajmërojnë për probleme në udhëtime dhe një shans të vogël për ndërprerje të energjisë elektrike ose izolim të ndonjë komuniteti në zonën lindore dhe perëndimore të Londrës.

Klan News