Meteorololgia e njohur Adiola Bani nga Metoalb ka bërë parashikimin e motit për Klan News, ku shprehet se situata në veri të vendit do jetë sërish problematike përsa i përket zjarreve pasi parametri i erës do forcohet edhe më shumë gjatë mesditës. Reshjet do jenë të papërfillshme dhe temperaturat do arrijnë dëri në 35 gradë celsius.

“Përsa i përket situatës së zjarreve në veri të vendit gjatë kësaj jave do të jetë sërish pak problematike duke qenë se presim herë pas here gjatë orëve të mesditës të kemi forcimin të parametrit të erës të cilat nuk do të ndihmojnë në shuarjen e zjarreve. Përsa i përket temperaturave të ajrit vijojnë të mbeten të larta edhe në zonat veriore të vendit ku pritet që maksimumi kryesisht në zonën e Pukës, Hasit, Kukësit termometri të ngjitet sërish në vlerën 34-35 gradë Celsius gjë e cila nuk do të ndihmojë në shuarjen e flakëve.

Përsa i përket kushteve të motit, kemi kthjellime të herë pas hershme, ndërsa reshjet do jenë shumë pak prezente dhe pothuajse të papërfillshme kryesisht në Alpet e Shqipërisë dhe në zonat e izoluara të vendit tonë. Por nuk do të prekë gjithë zonën veriore gjë e cila do të ndihmojë shumë në shuarjen e flakëve ku ka problematika”, është shprehur Bani.

Ndërsa përsa i përket parashikimit të motit në pjesën tjetër të territorit shqiptar, meteorologjia shprehet temperaturat do vijojnë të jenë të larta dhe do ketë mungesë të reshjeve.

“Në përgjithësi kjo javë do jetë një javë e nxehtë pasi presim që vlerat termike gjatë kësaj fillim jave të ngjiten në 37-38 gradë celsius. Do kemi një freskim të përkohshëm duke filluar nga data 18-20 Gusht, ku presim që vlerat termike të zbresin në 35 apo 36 gradë celsius maksimumi në rang territori, ndërsa serish fundjava do sjellë një rritje të temperaturave.

Pritet që kjo javë të jetë kryesisht e kthjellët në të gjithë vendin, vranësirat do të jenë shumë pak prezente dhe reshjet do të jenë të izoluara, afatshkurtra dhe të përkohshme”, ka pëfunduar Adiola Bani. /tvklan.al