Trajneri i Juventusit, Thiago Motta, foli në konferencë për shtyp, në prag të sfidës së radhës ndaj Genoa-s në kampionat.

Motta deklaroi se ishte një javë pozitive për ekipin e tij, ndërsa theksoi se nuk është i shqetësuar për pjesën e sulmit që nuk po shënon.

“Vlahovic po punon shumë mirë. Është e qartë sa e rëndësishme është për sulmuesin që skuadra të ndërtojë nga prapa. Ne duhet ta vendosim atë në një pozicion për të finalizuar sa më mirë. Dusan ka nevojë për ekipin, edhe ekipi ka nevojë për atë. Ai është duke bërë shumë gjëra të tjera.

Nuk jam aspak i shqetësuar për sulmin. Faza e sulmit nuk bëhet vetëm nga një lojtar, por e gjithë skuadra. Ne hodhëm një hap të rëndësishëm në ndeshjen kundër Napolit, ia hoqëm topin një ekipi të madh. Duhet t’i vendosim sulmuesit dhe mesfushorët në pozicionet më të mira, të luajmë si ekip.

Juventusi synon të fitojë gjithmonë. Edhe unë dua të fitoj rregullisht, por ka shumë gjëra para se të shkosh te fitorja. Në fund të fundit, qëllimi është të fitojmë me lojën tonë. Nuk kam ndjerë kurrë ankth në ekipin tim, besojmë te rezultati pozitiv.”, th ai.

Referuar faktit se ndeshja do të luhet pa tifozë, për shkak të dënimit të Genoa-s, Motta tha se është turp për të gjithë dhe duhet të nxirret mësim.

“Ndeshja me dyer të mbyllura? Është turp, sepse po flasim për sportin më të bukur në botë, ku njerëzit duhet të shkojnë në stadium për të përfituar nga një moment i mrekullueshëm dhe për të parë një shfaqje. Është turp për të gjithë, për të gjithë ne, për tifozët, për lojtarët, për trajnerët, për menaxherët, për presidentët. Mendoj se në një moment si ky të gjithë mësojmë.”, deklaroi Motta.

Ndeshja Genoa-Juventus do të luhet të shtunën në orën 18:00. /tvklan.al