Firmos me klubin londinez deri në 2023

Pak orë pasi lajmëroi shkarkimin e Mauricio Pochettino, Tottenham emëroi Jose Mourinho si trajnerin e ri. Marrëveshja me portugezin është e vlefshme deri në vitin 2023.

“Jam entuziast që bëhem pjesë e një klubi me një histori të madhe dhe me tifozë kaq të apasionuar. Cilësia e skuadrës së parë dhe akademisë më entuziazmon. Të punoj me këta futbollistë është ajo që më ka tërhequr më shumë”, deklaroi Mourinho për faqen zyrtare të Tottenham.

Mediat shkruajnë se do të përfitojë 13 milionë euro në vit. Mourinho është një njohës i mirë i futbollit anglez, pasi ka drejtuar Chelsea dhe Manchester United, duke fituar edhe 11 trofe.

Jose Mourinho ka një detyrë vështirë që të kthejë Tottenham në skuadrat e kreut. Ekipi ndodhet momentalisht në vendin e 14, ndërsa në Champions League gjërat po shkojnë më mirë, pasi është pranë kualifikimit në turin e ardhshëm.

Tv Klan