Rikthimi i Jose Mourinho në Seria A për pankinën e Romës i zuri të gjithë në befasi, çka pritet të sjellë një efekt domino në Itali dhe më gjerë. Maurizio Sarri ishte kandidati kryesor për të firmosur me verdhekuqtë.

Kjo e ka shndërruar italianin në një pikë referimi për dy skuadrat britanike, Arsenal e Tottenham, të cilët kërkojnë një trajner të ri për pankinën. Një tjetër lëvizje pritet të jetë ajo e Gattuso, që është në derën dalëse nga Napoli dhe Luciano Spalleti mund të kthehet në kampionatin italian.

Antonio Conte dhe Gasperini duket se janë konfirmuar edhe për sezonin e ri te Inter e Atalanta, ndërsa Massimiliano Allegri pritet të rikthehet te Juventusi. Ndërkaq, e ardhmja e Piolit mund të varet kryesisht nga kualifikimi i Milanit në Ligën e Kampionëve.

Fonseca shihet si profili ideal për të marrë drejtimin e Milanit, teksa një pistë tjetër mbetet edhe rikthimi i Andri Shevçenko, këtë herë si trajner. Në pikëpyetje mbetet e ardhmja e Simone Inzaghi, me italianin që nuk ka arritur ende akordin për rinovimin me Lazion. Gjithashtu në këtë rast përparësi do t’u jepet objektivave në fundin e sezonit.

Klan News