Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë një pasqyrim të situatës dhe masave të marra prej saj pas përmbytjeve në zonën e Kurbinit, Dibrës e Mirditës.

Rreshjet intensive të rëna kryesisht në orët e pasdites së djeshme kanë shkaktuar përmbytje në zonën e Kurbinit. Një shtetas ka humbur jetën aksidentalisht, si dhe ka patur dëme në banesa, bagëti dhe prodhime bujqësore.

Në një njoftim për mediat, Ministria e Brendshme thotë se në ndihmë të banorëve të prekur nga reshjet kanë shkuar strukturat e Emergjecave Civile, forca zjarrfikësve, policore, ushtrake dhe të njësive vendore.

Në operacionin në zonën e Laçit, sipas Ministrisë janë angazhuar 152 punonjës, 30 mjete dhe 10 motobarka: 12 punonjës të strukturave të Emergjencave, 20 forca të FNSH, Shkodër, 30 forca zjarrfikëse të Laçit, Lezhës, Mirditës, 60 forca ushtarake, 30 forca të Policisë lokale.

Sa i përket situatës dhe masave të marra në Bashkinë e Kurbinit, kjo ministri sqaron si më poshtë:

Si pasojë e rritjes së prurjeve të përroit, pati dalje të ujërave nga shtrati. Dje rreth orës 19:00 pati stuhi me intensitet shumë të lartë duke u krijuar gjendje kritike për banorët e qytetit, kryesisht në lagjen nr.4, tek Konviktet dhe përgjatë unazës së qytetit.

Për shkak të reshjeve intensive dhe daljes së ujrave të përroit shtetasi Kol Mënga, 48 – vjeç ka humbur jetën duke u përfshirë nga rryma e fuqishme e ujit.

Forcat e MZSH-së, në bashkëpunim me forcat e ndërmarrjeve të Bashkisë Kurbin, u gjendën të parat në vendngjarje dhe dhanë ndihmën për evakuimin e banorëve të zonës, si dhe largimin e ujrave nga banesat. U ngrit Komisioni i Emergjencave Civile të Bashkisë dhe u organizua puna për përballimin e emergjencës së krijuar.

Për pasojë janë përmbytur 30 banesa në zonën e stadiumit, 20 banesa të lagjen “Demokracia”, si dhe disa banesa në lagjen Sanxhak.

Në oborret e banesave poshtë kanalit të ujrave të larta ka pasur prezencë uji, kurse në tokat bujqësore ka dëme të kulturave bujqësore të stinës.

Në Shullaz dhe në Malbardhë, në Njësinë Administrative Milot, situata ka qënë më e vështirë sepse dalja e ujrave të përroit ka sjellë përmbytjen e rreth 50 banesave.

Në afërsi të autostradës me ndihmën e forcave të policisë janë evakuar 6 familje, më të rrezikuarat.

Në fshatin Delbënisht janë dëmtuar segmente të rrugës kryesore, duke ndërprerë lëvizjen e mjeteve.

Edhe në këtë Njësi Administrative forcat e ushtrisë dhe të policisë janë angazhuar intensivisht për të ndihmuar komunitetin dhe largimin e ujërave nga banesat.

Në të gjithë qarkun e Lezhës hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe nuk ka patur ndërprerje të energjisë elektrike.

mb

Bashkia Mirditë

Në fshatin Lurth, për shkak të reshjeve intensive ka patur dëmtime të banesave, në bagëti dhe në prodhime bujqësore. Janë evakuuar 2 familje, por niveli i ujrave më pas ka rënë.

Qarku Dibër

Në Njësinë administrative Komsi, bashkia Mat, për shkak të reshjeve intensive ka ndodhur një rrëshqitje dheu duke dëmtuar një banesë.

Gjithashtu, në këtë njësi për shkak të daljes së ujrave të përroit nga shtrati ka patur edhe në zonën përreth Uzinës rrezikim të banesave. Bashkia Mat ka avakuuar vetëm 1 familje.

Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile Shemsi Prençi gjatë gjithë natës dhe sot ka monitoruar situatën e krijuar duke koordinuar veprimet e forcave operacionale.

Situata ditën e sotme është drejt përmirësimit për shkak të ndërprerjes së reshjeve intensive dhe masave të marra.

/tvklan.al