Në Ditën Botërore Kundër Kancerit, në programin “Historia ime” në TV Klan ishte e ftuar Evisa Sulejmani. Ajo ka përfunduar studimet e larta për Shkenca Sociale dhe në studio rrëfeu betejën e saj me kancerin e gjirit.

Evisa vendosi të bënte një kontroll pasi kuptoi se në gjoksin e saj ishte shfaqur një gjëndër. Gjithashtu ajo tregoi se atë periudhë ndihej shumë e lodhur dhe donte vetëm të flinte gjumë.

Kur mori vesh diagnozën, Evisa vendosi të mos bënte asnjë kërkim në Google për sëmundjen sepse nuk donte të merrte asnjë lloj informacioni. Fatmirësisht para 4 muajsh, ajo arriti ta mposhte sëmundjen.

Evisa Sulejmani: Ka qenë data 11 Qershor e vitit 2018, kur unë kam vajtur vetë të bëj vizitën, por më përpara kam një rutinë timen mbase nuk e di, më vjen natyrshëm të kontrolloj gjoksin. Është diçka që nuk e shpjegoj dot. Nuk kisha tërheqje, por kisha vetëm një gjëndër. Ajo që më dha më tepër siguri ishte që edhe kur shtrihesha, ajo ishte akoma aty dhe kjo më bëri që duhet patjetër të shkoj dhe të bëj një kontroll. Sepse nuk lëvizte ishte një gjëndër që ishte e jashtme dhe mund ta kuptoje.

Mirela Milori: Kishe ndonjë informacion?

Evisa Sulejmani: Fare. Vetëm një gjë më bënte shumë çudi që kisha shumë lodhje atë periudhë dhe më flihej jashtëzakonisht gjumë. Doja vetëm të flija gjumë atë periudhë.

Mirela Milori: Pra trupi ishte i lodhur, i drobitur!

Evisa Sulejmani: Totalisht dhe kisha dhe rënie shumë të flokëve. Nuk e di nëse janë këto simptomat, por lodhjen e kam patur jashtëzakonisht të madhe dhe trupi më kërkonte gjumë.

Mirela Milori: Dhe shkove?

Evisa Sulejmani: Bëra konsultën dhe ajo më tha që duhej të bëja një eko. E mbaj mend totalisht gjithë fragmentin e asaj dite. Doktoresha më tha mua është një gjë që duhet ta heqësh dhe vetëm kaq. I thashë: Por çfarë është? Isha vetëm sepse thashë nuk është ndonjë gjë shqetësuese. Aty pastaj telefonatën e parë e kam bërë me motrën dhe i thashë: Bëra një vizitë, por duhet ta marrësh me sportivitet se dhe unë ashtu po e marr. Më kanë thënë që kam diçka që duhet hequr. Motra u shqetësua faktikisht më shumë se unë. Nuk jam futur në Google, nuk e kam bërë deri në momentin e kimios, domethënë nuk doja të merrja asnjë lloj informacioni.

Mirela Milori: Kur e ke lënë kimion e fundit?

Evisa Sulejmani: Unë e kam mbyllur në Qershor dhe në Gusht e kam mbyllur komplet. Pra unë kam 4 muaj që e kam mbyllur gjithë ciklin.

Më tej, Evisa tregoi se ajo është drejtuar drejt Italisë dhe aty është kuruar gjatë gjithë kohës.

4 Shkurti është Dita Botërore Kundër Kancerit, e cila është konsideruar si sëmundja e shekullit. Sipas statistikave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 70% e vdekjeve nga kanceri ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. 

Përafërsisht 3.7 milionë jetë mund të shpëtohen çdo vit, nëpërmjet strategjive të duhura të parandalimit, kapjes së hershme, trajtimit në kohë dhe cilësor të kancerit. /tvklan.al